Lajme

Aksidenti tragjik në Alpet Zvicerane: defekti teknik shkaktoi rrëzimin fatal të teleferikut

Autoritetet zvicerane përjashtojnë mundësinë që një përmirësim i mekanizmit të kishte parandaluar tragjedinë në Engelberg

 

Një përmirësim i mekanizmit të teleferikut nuk do të kishte mundur të parandalonte aksidentin tragjik të ndodhur më 18 mars në Alpet zvicerane, ku humbi jetën i vetmi person që ndodhej në kabinë, pasi ajo u rrëzua nga mali në zonën e Engelberg, bëjn me dije sot autoritetet e sigurisë së Zvicrës.

Sipas ekspertëve thuhet se era e fortë dhe kufijtë fizikë të sistemit ishin faktorë kyç në këtë aksident fatal, përcjell albinfo.ch.

Sipas hetimeve paraprake, shkaku kryesor i aksidentit ishte një kapëse e dëmtuar, e cila u shkëput nga kablloja, duke bërë që kabina të humbiste stabilitetin dhe të binte.

Megjithatë, Swiss Safety Investigation Board ka theksuar se kushtet atmosferike luajtën një rol të rëndësishëm në këtë tragjedi. Në ditën e aksidentit, erërat e forta kishin arritur nivele të tilla që çdo sistem teknik do të vihej në provë.

“Kjo është thjesht çështje fizike dhe gjeometrie. Në kushte të tilla ekstreme, çdo sistem arrin kufijtë e tij,” deklaroi Philipp Thürler, duke shtuar se edhe ndryshimet në mekanizmin e bllokimit nuk do të kishin ofruar siguri më të madhe.

Ky incident rikthen vëmendjen mbi rëndësinë e mirëmbajtjes teknike dhe kufijtë realë të sigurisë në kushte ekstreme natyrore, duke ngritur pyetje për menaxhimin e rrezikut në infrastrukturën alpine. /Albinfo.ch

Identifikohet viktima e aksidentit me teleferik në Engelberg

Rreziku nga erërat e forta në teleferikë: Çfarë tregoi aksidenti në Engelberg