Shqipëria

“Aman, më shpëtoni, jam gjallë”, rrëfim mes lotësh pas tragjedisë në familjen Çupi

“Aman më shpëtoni, jam gjallë, aman vetëm më shpëtoni". Ishte i bllokuar në të dy krahët, në këmbë dhe në mes. Jetën e humbi nga rrjedhja e gjakut nga këmba.

Është bërë e ditur se tre pjesëtarë të familjes Çupi nga Thumana janë përcjellë në banesën e fundit. I vetmi që arriti të shpëtonte ishte Micoli, 31 vjeç, i cili, i plagosur rëndë, nuk mundi dot të merrte pjesë në ceremoninë mortore.

“Ia kemi rrëfyer, nëpërmjet mjekut ia kemi shpjeguar. Nuk mundi të vinte, sepse nuk ishte në gjendje”.

Emrat e të vdekrve në këtë familje janë: Hajredini 67 vjeç, Lutfija 59 vjeçe dhe Keli 35 vjeç, humbën jetën nga tërmeti i 26 nëntorit. Të ardhur pas viteve ‘90 nga Burreli në Thumanë për një jetë më të mirë, familja Çupi jetonte në katin e tretë të këtij pallati tashmë të shpërbërë.

“Në shkurtin e vitit 1953 ka mbaruar shkollën e mesme, për rezervat e punës. Ka punuar në ndërmarrje të ndryshme në rrethin e Matit. Në pas vitit 1997 ka ardhur e ka jetuar në Thumanë, për një jetë më të mirë, se ashtu ishin punët, ka punuar në shumë vende si saldator. Bashkëshortja shtëpiake. Dy djemtë në emigracion”.

Familjes Çupi gëzimi i pritshëm për fejesën e djalit të vogël, Micolit, iu kthye në tragjedi. Kelmenti kishte dy ditë që ishte kthyer për këtë gëzim nga Anglia, ku kishte emigruar prej disa vitesh dhe punonte për të siguruar jetesën.

“Njëri jetonte në Angli, tjetri shumicën në Greqi dhe Itali. Dy ditë përpara kishte ardhur Kelmenti, për një gëzim familjar, për të fejuar Micolin. Prisnim ditën kur ishte caktuar, ndodhi tragjedia dhe çdo gjë u ndërpre”.

Dy xhaxhallarët e tij, Adriatiku dhe Hamzai, tregojnë bisedat me nipin në 16 orë, gjatë përpjekjeve heroike të grupeve të specializuara për ta shpëtuar nipin e tyre.

“Herën e fundit kam folur 5 minuta para se me dhënë jetë. Thoshte më ndihmoni, ndihmë o xhaxhi, ndihmë më shpëtoni. Nuk arritëm dot. Nuk ishte mundësia, nuk e di, ishin shumë betone sipër, shumë gjëra… U munduan boll ata të ndërhyrjes greke dhe të Kosovës. U munduan boll, madje njëri nga Kosova bërtiste, Kel qëndro dhe pak, por nuk arritën dot ta shpëtonin”.

“Në momentin që kanë arritur tek i ndjeri, në momentin që kanë prerë traun, ai ka dhënë jetë. Atëherë e lanë në moment aty, mbrapa kemi ndërhyrë e kanë filluar dhe e kanë nxjerrë, është nxjerrë në mëngjes”.

U tha që hëngri bukë, kërkoi cigare…

“Ne ia dhamë të gjitha. Kemi komunikuar, kanë komunikuar njerëzit, nipërit”.

Po çfarë u thoshte Keli?

“Aman më shpëtoni, jam gjallë, aman vetëm më shpëtoni”. Ishte i bllokuar në të dy krahët, në këmbë dhe në mes. Jetën e humbi nga rrjedhja e gjakut nga këmba.

Vëllezërit e Hajredin Çupit kanë një shqetësim. Sipas tyre, për shtetin, viktimat e familjeve të tyre as nuk ishin shënuar në listat e të vdekurve nga tërmeti, ose iu ishte shënuar emri gabim.

“Kelmentit ia kanë bërë Klevis, ia kanë ngatërruar. Njëkohësisht edhe nuses nuk i ka dalë emri në listat zyrtare, Lutfies”.

Ata rrëfejnë dhe dëshminë e Micolit, nipit që mbijetoi nën rrënoja, i cili u arrit të nxirrej shëndoshë e mirë pas disa orësh dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës, i plagosur.

“Kur erdhën në mëngjes, kunata Lutfia gjendet e vdekur, konfirmohet dhe më pas rreth orës 12 morëm vesh se edhe Hajredini nuk jetonte. Para orës 12 kanë shpëtuar vetëm Micolin. E nxorën forcat e ndërhyrjes së policisë shqiptare. Micoli ka qëndruar disa orë i varur nën rrënoja. Thoshte më ndihmoni, se jam shumë mirë, më ndihmoni më nxirrnin nga rrënojat. Ishte i varur dhe bërtiste, kaq”.