Kosova

Ambasadori Sprecher: Më pëlqen shumë Kosova, ka njerëz dhe atmosferë të veçantë 

Intervistë ekskluzive e Albinfo.ch me Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, që është publikuar në numrin e fundivitit të revistës sonë

Revista Albinfo.ch në numrin e saj special për lexuesit e saj ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me Ambasadorin e sapoemëruar të Zvicrës në Kosovë, z. Jürg Sprecher. 

Tani po bëhen gati 16 vjet të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Zvicrës. Pa dyshim, kjo e fundit është një mike e madhe e shtetformimit të Kosovës si nga ana politike, arsimore, kulturore, ashtu edhe nga investimet e këtij shteti, veçanërisht me remitencat e diasporës shqiptare nga ky shtet. 

Pas përfundimit të misionit disavjeçar diplomatik të ambasadorit z. Thomas Kolly, gati që një muaj tani është emëruar z. Jürg Spreche si Ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Republikën e Kosovës, me rezidencë në Prishtinë. 

Ne biseduam me z. Sprecher për tema të ndryshme, lidhur me postin e tij të ri, ambientimin me Kosovën, marrëdhëniet diplomatike mes dy shteteve, diasporën shqiptare në Zvicër, investimet dhe vizat e lëshuara për vitin 2023.  

Albinfo.ch: Zotëri Sprecher, para pak ditësh ju u emëruat Ambasador i Zvicrës në Kosovë, cila ishte përshtypja juaj e parë për Kosovën? 

Jürg Sprecher: Fillimi im në Prishtinë ka qenë i shkëlqyer. Më 2 nëntor munda t’i dorëzoja Presidentes letrat kredenciale. Këshilli Federal me këtë shkresë formale shpall ambasadorët pranë qeverisë tjetër përkatëse. 

Fakti që jemi pritur kaq shpejt nga Presidentja Osmani – më pak se 24 orë pas mbërritjes sonë – tregon se sa shumë vlerësohet Zvicra këtu në Kosovë dhe sa të ngushta janë marrëdhëniet tona. 

Që atëherë, unë tashmë pata mundësinë të njoh pak Kosovën dhe njerëzit e saj dhe më duhet të them: këtu ka një atmosferë të veçantë që më pëlqen shumë. Gjithashtu mezi pres të punoj me ekipin fantastik që kemi në Ambasadën Zvicerane. 

Albinfo.ch: Edhe pse është ende shumë herët, sa jeni integruar me jetën dhe me njerëzit në Kosovë që kur u emëruat si Ambasador i Zvicrës në Kosovë? 

Jürg Sprecher: Pas tre javësh, akoma nuk mund të flasësh për integrim si duhet. Siç thashë, sapo kam filluar të zbuloj botën e re që po më hapet këtu. 

Edhe pse e dija se sa të ngushta janë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë përmes diasporës kosovare, sërish më bën përshtypje lidhja dhe fakti se ndonjëherë mund të dëgjosh gjermanishten zvicerane në rrugët e Prishtinës. 

Albinfo.ch: Po bëhen gati 16 vjet të marrëdhënieve diplomatike mes Zvicrës dhe Kosovës, si e vlerësoni raportin mes këtyre dy shteteve, përgjatë viteve? 

Jürg Sprecher: Nga viti 1960, Zvicra rekrutonte punëtorë nga rajoni. Në kaosin e konflikteve të viteve 1990, dhjetëra mijëra njerëz u larguan dhe arritën në Zvicër si refugjatë. 

Gjatë konfliktit të viteve 1998-99, Zvicra ofroi ndihmë humanitare dhe ngriti programe për kthimin dhe riintegrimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur. Këto aktivitete që atëherë janë zëvendësuar nga programet e rindërtimit dhe zhvillimit. 

Zvicra e njohu Kosovën më 27 shkurt 2008, dhjetë ditë pas shpalljes së pavarësisë dhe vendosi marrëdhënie diplomatike dhe konsullore. Që atëherë, këto marrëdhënie janë thelluar më tej dhe janë shtrirë në një gamë të gjerë fushash bashkëpunimi. Jam i kënaqur që unë dhe ekipi im mund të kontribuojmë në thellimin e mëtejshëm të kësaj marrëdhënieje. 

Albinfo.ch: Diaspora shqiptare në Zvicër, luan rol të rëndësishëm në shtetin zviceran me punën e tyre, por dhe më shumë në ekonominë kosovare, veçmas në remitencat e dërguara në vendlindje. Si e komenton kontributin e kosovarëve në Zvicër dhe në Kosovë? 

Jürg Sprecher: Diaspora kosovare është komuniteti më i madh i të huajve në Zvicër pas qytetarëve nga vendet e BE/EFTA. Si rrjedhojë, ato luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në ekonomi, por edhe në sport, kulturë dhe politikë. 

Fakti që kjo ka ndikim në Kosovë është edhe i natyrshëm dhe i mirëpritur. Zvicra vlerësohet të jetë vendi i dytë më i rëndësishëm i origjinës (pas Gjermanisë) për dërgesat në Kosovë. Remitancat nga Zvicra përbëjnë rreth 2.5% të PBB-së së Kosovës. 

Albinfo.ch: Duke qenë se Zvicra është investitori i dytë më i madh në Kosovë, sipas jush, Kosova është tërheqëse për të investuar? 

Jürg Sprecher: Tërheqja e investimeve të huaja varet nga një sërë faktorësh. Kushtet kryesore përfshijnë stabilitetin politik, perspektivat e rritjes ekonomike, mjedisin rregullator, infrastrukturën, fuqinë punëtore të kualifikuar dhe madhësinë e tregut. Për më tepër, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të bënte një rrugë të gjatë për ta bërë Kosovën edhe më tërheqëse për investitorët e huaj. 

Investimi në kompani në Kosovë po bëhet më tërheqës, edhe falë një klime të përmirësuar të investimeve (taksimi, rregulloret e inspektimit, shlyerja e borxhit), reformave në të cilat Zvicra po e mbështet Kosovën. 

Me sa di unë, është kryesisht diaspora kosovare që jeton në Zvicër që ka investuar në Kosovë. Në të kaluarën, këto investime kanë qenë të përqendruara në sektorin e ndërtimit, megjithëse tani ka një diversifikim në rritje. Megjithatë, ekonomia zvicerane është shumë konkurruese dhe besoj se synimi duhet të jetë tërheqja e më shumë investimeve nga jashtë diasporës. 

Albinfo.ch: Zvicra është donatori më i madh në fushën e edukimit në Kosovë, më konkretisht cilat janë prioritetet e Zvicrës lidhur me këtë fushë? 

Jürg Sprecher: Ne jemi krenarë që jemi një nga donatorët më aktiv në fushën e arsimit dhe trajnimit, në Kosovë. Zvicra ka njëzet vjet që mbështet Arsimin dhe Aftësimin Profesional (AFET). 

Fokusi ynë është në mësimin e bazuar në ndërmarrje dhe orientimin në karrierë. Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar po bëhet gjithnjë e më shumë faktor kufizues në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës. Prandaj ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë në këtë fushë, duke ndihmuar Qeverinë e Kosovës që të zhvillojë sistemin e AAP-së në afat të mesëm dhe afatgjatë, dhe sektorin privat të Kosovës t’i përgjigjet nevojave imediate. 

Albinfo.ch: Çdo vit, eksportet kosovare në Zvicër po rriten, trendi i tillë ka vazhduar. Sipas jush, është kjo një nismë e mbarë mes dy shteteve, ku edhe Kosova po rrit eksportet drejt Zvicrës dhe anasjelltas? 

Jürg Sprecher: Unë jam ekonomist dhe kjo nuk është e vetmja arsye pse jam i bindur se të gjitha palët përfitojnë nga tregtia dhe hapja e kufijve. 

Zvicra po udhëheq negociatat drejt një marrëveshjeje të ardhshme të tregtisë së lirë ndërmjet shteteve të EFTA-s dhe Kosovës me synimin për të nxitur marrëdhëniet tona ekonomike dhe integrimin ekonomik rajonal të Kosovës. 

Albinfo.ch: Zotëri Sprecher, jemi në përfundim të vitit 2023, sa viza në total janë lëshuar këtë vit, nga ambasada e Zvicrës për qytetarë kosovarë, qoftë turistike apo lloje tjera? 

Jürg Sprecher: Ambasada e Zvicrës në Prishtinë lëshon viza jo vetëm për Zvicrën, por edhe për Francën, Austrinë, vendet e Beneluksit dhe Lihtenshtajnin. Nga janari deri në tetor janë lëshuar më shumë se 27,000 viza Shengen, 70% e të cilave ishin për Zvicrën. 68% e këtyre vizave Shengen janë dhënë për vizita familjare, 10% për biznes dhe 5% për turizëm. 

Në krahasim, ne kemi lëshuar 31.500 viza Shengen për të njëjtën periudhë në vitin 2022. Prandaj tashmë po ndjejmë disa nga efektet e liberalizimit të ardhshëm të vizave, i cili do të hyjë në fuqi në vitin 2024. 

Përveç kësaj, Ambasada tashmë ka lëshuar deri më tani rreth 1800 viza kombëtare zvicerane. Këto viza afatgjata janë lëshuar kryesisht për bashkim familjar (89%), për të studiuar (5%) dhe për punë (4%). Kjo lloj vize nuk do të ndikohet nga liberalizimi i vizave Shengen. 

Albinfo.ch: Jemi në prag të festave të fundvitit, një mesazh për kosovarët dhe për mërgatën shqiptare që jetojnë në Zvicër dhe më gjerë? 

Jürg Sprecher: Mesazhi im është universal. Sepse periudha mes ndërrimit të moteve është gjithmonë një mundësi për të lënë pas jetën e përditshme, për t’u qetësuar, për t’u çlodhur dhe për të shijuar familjen dhe miqtë. Këtë e uroj edhe për kosovarët dhe diasporën shqiptare që jeton në Zvicër dhe më gjerë.