Sporti

Arlind Ajeti, talenti i radhës që po troket në dyert e suksesit

18 vjeçi Arlind Ajeti ka nënshkruar kontratë trevjeçare me FC Basel. Ai është një futbollist që luan në të gjitha pozicionet

Një talent i radhës nga të rinjtë shqiptarë të Bazelit (krahas Shaqirit, vëllezërve Xhaka) është edhe Arlind Ajeti, i cili në sezonin e ardhshëm, sipas trajnerit të FC Basel, Thorsten Fink, do të jetë lojtar standard, në formacionin e parë. Arlindi ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin FC Basel.

Përveç Arlindit, seria e vëllezërve Ajeti vazhdon me Albianin dhe Adonisin (binjakë) U-16 Bazel, të cilët tashmë kanë konfirmuar talentin e tyre, ndonëse janë në moshë më të re.

Arlindi luan në mbrojtje, si mesfushor, pastaj si defensiv i rrallë, koordinues i mesit të fushës, gjuan me kokë dhe dallohet në kërcimet e larta në luftë për ta zotëruar topin. Këto janë tiparet që e kanë karakterizuar atë në disa vitet e fundit të lojës në klubin e Bazelit, të cilat tipare janë vënë në dukje edhe në mediet e vendit, dhe nuk kanë shpëtuar pa u parë dhe pa u vlerësuar edhe nga syri i specialistëve.

Familja e Afrim Ajetit (babait të Arlindit) vjen nga Besiana e Republikës së Kosovës. Si shumë bashkatdhetarë të tjerë, edhe Afrimi në vitet `90-a u vendos me punë në Bazel, dhe të gjithë fëmijët i kanë lindur në Zvicër.

Arlindi me Granit Xhakën

Suksesi nuk ka ardhur vetvetiu dhe as rastësisht

Që në fëmijëri Arlindi e filloi karrierën e futbollit në klubin e Bazelit, fillon rrëfimin babai i tij, Afrim Ajeti, i cili është shumë i kënaqur me talentin e fëmijëve të tij në futboll. Arlindi ka disa vjet që luan edhe për formacionin e Zvicrës, tani në U-21, edhe pse ende nuk ka mbushur tetëmbëdhjetë vjet, thotë Afrimi, shumë i emocionuar.

Sipas medieve vendëse, Arlindi përveç se ka talent, është edhe shumë i disiplinuar në lojë dhe ky fakt i ka bërë për vete shumë njerëz prominentë dhe specialistë të futbollit. Mjafton ta lexojmë vetëm deklaratën e trajnerit Th.Fink në fundjavën e kaluar (datë 2.07.2011) dhënë „Basler Zeitung“, dhe të gjithë e kuptojnë se fjala është për një futbollist që para vetes ka një karrierë të bujshme. Pozicioni i tij qendërmbrojtës është kyç në organizimin e lojës së futbollit, prandaj trajnerët zakonisht kërkojnë shumë dhe këtë kërkesë Arlindi e plotëson pranë trajnerit të tij, z.Fink.

Ky besim nuk ka ardhur aq shpejt, por dihet se Arlindi ka luajtur dhe është i edukuar në shkollën e futbollit të Bazelit, prandaj asgjë nuk erdhi nga rastësia, por nga suksesi i tij i treguar në çdo lojë për vite me radhë. Babai i Arlindit, Afrim Ajeti, duke folur për shumë aktivitete sportive në fushën e futbollit, përveç të tjerash, përmendi edhe emra të klubeve me renome, të cilat kanë shprehur interesimin për ta pasur Arlindin në radhët e veta, por një gjë të tillë nuk e kemi bërë me nxitim, pavarësisht prej ofertave të favorshme, por e kemi parë të arsyeshme vazhdimin e karrierës në Bazel. Jo vetëm Arlindi, por kjo do të vlejë edhe për dy të tjerët (Albianin dhe Adonisin), sepse tani kanë nevojë të kalojnë një fazë të rëndësishme karriere në klubin e parë, nga se këtu janë shumë mirë të ambientuar, si në vendlindjen e tyre…

Adonis Ajeti

Albiani dhe Adonisi, gjurmëve të Arlindit

Talenti i Arlindit ra në sy të specialistëve zviceranë dhe ai menjëherë u aktivizua për Kombëtaren Zvicerane, ku ai, në të gjitha lojërat e zhvilluara, (i ndjekur disa herë edhe nga trajneri Hizfeld) ka treguar një formë dhe stabilitet shumë të mirë në fushën e gjelbër. Një gjë e tillë shumë shpejt mund të ndodhë edhe me vëllezërit e tij binjakë, me Albianin dhe Adonisin, (mosha pesëmbëdhjetëvjeçare), të cilët ende zyrtarisht nuk janë aktivizuar për Kombëtaren Zvicerane…

Albian Ajeti

Në ndërkohë për këta talentë është shumë e interesuar kombëtarja e Shqipërisë, pasi që talentin e Albianit dhe të Adonisit e njohin më shumë nga mediet, sidomos nga turniri i Afrikës që, siç dihet, Albiani u shpall lojtari më i mirë (në krye të vlerësimit të komisionit ishte ylli i futbollit francez, Zidanne) jo vetëm si golashënues, por edhe si sulmues dhe mesfushor. Edhe Adonisi ka të njëjtat vlera si dy vëllezërit e tij, i cili është shumë stabil në lojë dhe e karakterizon shpejtësia e veçantë.

Kështu që, Redi Jupi, përgjegjës për përzgjedhjen e talentëve të rinj shqiptarë pranë FSHF, sa i përket Albianit, pasi është shumë mirë i informuar për të, është shprehur i qartë: “Ne kemi shumë interes të kemi në radhët tona këtë lojtar të talentuar. Dhe në konfirmimin e parë të Kombëtares U-17 me ndonjë ndeshje miqësore, ne lojtarit Albian Ajeti do t’i bëjmë ftesën zyrtare në klubin e Bazelit, pra pa pasur nevojë ta vëzhgojmë, siç ndodh me lojtarët që nuk i njohim“.  Ndërkaq, këtë informatë e ka mirëpritur edhe babai i Albianit dhe Adonisit, Afrim Ajeti, duke theksuar se gjithçka është e hapur dhe se shumë gjëra varen nga organizatorët e palëve se si komunikojnë ata në mes vete, për sa i përket përcaktimit të kombëtares, etj., pasi që konstatoj se për Albianin dhe Adonisin ka ende kohë…?

Në sezonin e ardhshëm tre talentëve shqiptarë në klubin e Bazelit; Shaqirit dhe vëllezërve Xhaka do t’u bashkohet edhe Arlind Ajeti, lojtari me nr. 5, që ka një pozicion të rëndësishëm në mbrojtjen e lojës në fushën e gjelbër të Bazelit, i cili klub pa dyshim edhe për vitin 2012 është pretendues për t’u bërë sërish kampion në Superligën e Zvicrës.

Arlind Ajeti