Kosova

Arta, ajo që fisnikëron natyrën me artin e saj 

“Mendova: pse mos të jap dashuri në dekorimet e natyrës, një befasi që mundemi t`ia bëjmë njëri tjetrit, qoftë familjarëve, të dashuruarve apo thjesht, mes miqve” 

Natyra është vetë Zoti, për të kuptuar se kush je ti në të vërtetë.  Është ajo e cila të mbush si qenie, ndihesh e trishtuar dhe pa qëllim. Nën vellon e natyrës dhe në relaksin që të ofron peizazhi, Arta Muqa arrin të plotësojë qëllimin për relaks, konfort dhe kalim të kohës. Po kush është ajo? Është vajzë e thjeshtë, porse e thjeshta në duart e saj të arta ka përkryerje.  

I drejtohemi me disa pyetje. 

 Nga jeni ju, Arta? 

Me prejardhje jam nga Vraniqi i Suharekës por tashmë jetoj në Prishtinë. Jam rritur në Zvicër por rrethanat e jetës më kanë kthyer në Kosovë. 

Në cilin moment të lindi ideja ta zbukurosh natyrën dhe të organizosh piknikë  kaq të bukur? 

Kur kam jetuar në Zvicër me familjarët, gjithmonë kemi dalë fundjavave në natyrë, ku jemi mbledhur me miq. Kjo më ka mbetur edhe kur jam kthyer në Kosovë, pavarësisht që,  nga rrethanat e jetës, s’kam mundur ta realizoj dhe aq… 

Mendova: pse mos të jap dashuri në dekorimet e natyrës, një befasi që mundemi t`ia bëjmë njëri tjetrit, qoftë familjarëve, të dashuruarve apo thjesht, mes miqve. 

Çfarë ju pëlqen më shumë te ky organizim, pra tek pikniku? 

Pikniku më ka mbetur mall i dikurshëm, kur kam jetuar me prindër në Zvicër, kalonim me familjarë e të tjerë! 

E aq më tepër, kur dy të dashuruar ndajnë momentin, mes qirinjve apo mu në mes të borës e zjarri do të jetë në mes, e zemra e tyre me plot emocione, më besoni nuk do e ndiejnë të ftohtin. 

Tash, pasi jam vetë nënë, e shpreh mallin e piknikut sepse më frymëzojnë njerëzit për t`i bërë bashkë në natyrë e aq më tepër ku Kosova ka vende aq të bukura. Ndërsa qëllimi im si dashamirëse e natyrës, është që me plot dashuri të bashkohen njerëzit në ambiente të ngrohta pikërisht nën qiellin e hapur. 

Si e shihni ju piknikun për njerëzit? 

Pikniku i ka bashkuar në atë kohë shumë  njerëz që nuk i kanë pasur familjarët afër, e prindërit e mi shpesh i kanë  ftuar të tjerët për të kaluar ca orë së bashku, duke ngrënë apo duke luajtur lojëra sporti të ndryshëm.  

Natyra është për t`i bërë njerëzit së bashku. 

Përveç  kësaj që thatë, përse i bën Arta këto organizime kaq të bukura? 

Me pak fjalë pikniku në natyrë nuk e bëj vetëm për të treguar një art në vete, por vizitoj vendet, bukuritë që ka Kosova dhe njëkohësisht promovoj edhe vendin! 

Artë, na përshkruani atë që t`ua ofronit një çifti, diçka që ata nuk do ta harronin kurrë! 

Paramendoni, ndodheni në një shtëpizë druri, qoftë në Rugovë apo Prevallë ose në Brezovicë, jashtë bie borë, fjollat bien lehtë, kurse brenda je e rrethuar me petale rozë, qirinj, një oxhak me zjarr e gotën e shampanjës në dorë, apo pse jo, me çaj të nxehtë në duar ndërkohë që ju shoqëron një muzikë sfondi. Stimulimi i ambientit ngre ndjenjat tek të dashuruarit, një moment që do ta mbajnë mend tërë jetën. Në jetë momentet mbeten, nuk i kapim më, e pse atëherë të mos përfitojmë nga momentet që kanë mundësinë të ofrohen? 

Në çdo kënd të përzgjedhjes së një peizazhi që të ndalon frymën ajo i shton jetë jetës duke e plotësuar natyrën me materiale. Diku disa lule domethënëse, diku disa qirinj, një shtroje e disa jastëkë dhe do të ndjesh veten si mbret a mbretëreshë që jo vetëm sodit por e gjen veten bukur në bukuri. Të duket vetja i bukur, i lehtë si fllad kur shtrihesh dhe gjendesh në mes të një vreshti, në një panorame mali apo në një fushe të mbushur plot me bar e pemë. Të duket vetja sorkadhe që loz në livadh, diku një bletëz që thith nektar, një grerëz që do një fre rrush për ushqimin e përditshëm, një ujkonjë që dhelpëron nëpër livadhe a një ujk që ujqëron në ndjenja përfshirëse.

 

 

Një ndërtim i thjeshtë në formë protoike dhe e gjen vete si dikur me mijëra vjet çlodhej një ilir a një pellazg por nën butësinë e jastëkëve e të xixëllonjave që Arta i thur, për t’i quajtur dritë. Dhe një gotë verë Rahoveci dhe hëna e sapodalë ndahet më dysh për ta shijuar me ty. 

Ja që një njeri i thjeshtë bart në vetvete një kulturë. Dikur Jungu, një psikolog i madh thoshte se “të njohësh një njeri është si të njohësh një komb” dhe brenda Artës shtrihet një komb i sinqertë dhe i çiltër, që quhet art. 

E çfarë është njeriu? I ngjizur në ujë, diell dhe baltë, prandaj kërkon natyrën që Arta jo vetëm me duart e arta por edhe me një mendim të hollë, sa femëror aq dhe human përpiqet me mish e me shpirt t’i japë artit art si jetë jetës.  

T’i japë malit e fushës njerëz, ndjenjë e dashuri, dashurisë shpirt. 

Kjo është Arta që ndryshe mund ta quash në tërë kuptimin e fjalës e ‘E ARTA’! 

Autore: Zamira Bytyqi