Integrimi

Artan Berisha, piloti nga Zvicra

Aktualisht, piloti Artan Berisha vazhdon karrierën e tij profesionale në fushën e aviacionit në Gjenevë ku ai është i angazhuar në një kompani Business Class me seli në këtë qytet

Edhe pse Kosova ende nuk ka arritur të zhvillohet në aspektin e aviacionit, megjithatë ka shqiptarë nga Kosova të cilët profesionin e pilotit e ushtrojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe Botës. Një ndër ta është edhe Artan Berisha, i lindur në Gjilan, i cili prej disa vitesh jeton në Gjenevë të Zvicrës. Midis tokës dhe qiellit, platforma mediale albinfo.ch online&print sjell rrëfimin e piloti shqiptar në Zvicër.

Historia e dashurisë për profesionin e pilotit nisi që kur ishte i ri. Ai në atë kohë kishte një ëndërr, që një ditë të fluturonte. Në kohën kur ai ëndërronte për këtë profesion, rrethanat nuk mund të të ofronin diçka të tillë. Për familjarët dhe të afërmit e tij kjo ishte vetëm një ëndërr adoleshentësh. Artani, këmbëngulte se një dite ai këtë do ta bënte realitet.

Si i ri, dallohej për guximin që kishe. Që në moshë 17 vjeçare vendosi që jetës së tij ti hapte shtigje të reja, ku me përkrahjen e familjes në vitin 1998 ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas disa vitesh atje, përkundër sfidash për të nisur këtë rrugëtim arriti që me shumë mund të fillonte shkollimin për të marrë certifikatën e parë të pilotit.

Pas një eksperience të re me jetën në Amerikë, ai i është rrekur punës për tu bërë teknik kompjuterësh, drejtim për të cilin kishte filluar studimet në SHBA. Përkundër punës që bënte në këtë drejtim, kjo për të nuk ishte e gjitha çka ai dëshironte në karrierën e tij.

 Kishte “vetëm një rrugë”: Të bëhej pilot

Pas një angazhimi të madh, i bindur në atë çfarë donte, ai kishte vënë kontaktet e para me disa nga shkollat profesionale të pilotimit në Amerikë. Tashmë ai ishte edhe më i bindur se vetëm një rrugë kishte, ajo e të bërit pilot. “Jeta në qiell më sjell kënaqësi, fluturimi më jep guxim të madh për jetën”, thotë për këtë intervistë për albinfo.ch piloti shqiptar Artan Berisha, që jeton prej vitesh në Gjenevë të Zvicrës.

Ai përveç tjerash në rrëfimin e tij, ka treguar se duke ditur që si profesioni i pilotit në mesin tonë konsiderohej jo i lehtë dhe jo dhe pa rreziqe kishte vendosur që të fillonte shkollimi në kohën kur jetonte në SHBA, madje pa dijen e familjes dhe pa miratimin e tyre. Studimet i filloi në „Richmon Aviation“, në New York, që ishte shkollë e specializuar e aviacionit, ku ai nisi rrugën e tij për të bashkëjetuar me qiellin dhe për të bërë ëndrrën realitet. Artani, arriti që me sukses të përfundonte shkollën në fjalë dhe të licencohej si pilot për aeroplanët deri 180 kuaj fuqi, diplomë që pas zhvendosje së tij në Evropë në vitin 2005 e përktheu në licence europiane në Londër, Britani të Madhe.

“Sfidat në këtë profesion nuk janë të pakta”, thotë për albinfo.ch piloti Artan Berisha. “Sfidat që kisha gjatë rrugës kanë të bëjnë me specifikat që ka ky profesion, ai kërkon një nivel të lartë të përgatitjes psikike dhe fizike e po ashtu ka kosto të lartë të shkollimit. Për mua nuk ishte aq e lehtë, vazhdon rrëfimin e tij piloti Berisha, por kur ekziston vendosmëria dhe dashuria për një profesion çdo sfidë është përballueshme”, thotë Artani.

Ai prej disa vitesh është pjesë e kompanive më të njohura në fushën e aviacionit në aeroportin e Gjenevës. Përkundër punës dhe angazhimeve familjar, ai ka arritur të përfundojë dhe të licencohet si pilot komercial i aviacionit civil për të gjitha kategoritë që janë të përcaktuara me standardet e aviacionit civil.

© 2022 ALBINFO.CH

Licenca e parë në Amerikë, kompletimi në Europë

Pas licencës së marrë në New York, SHBA, ai  vazhdoi me shkollimin shtesë në këtë profesion, për të arritur deri tek licenca FATPL (Frozen Airline Transport Pilot Liscence), licencë që nënkupton Pilot i Transportit ajror. Duke vazhduar për pjesën tjetër të Licencës IFR rating (fluturim me instrumenta) si dhe Commerciale Multi Engine ( Aeroplan me dy motorra) arriti të përfundonte në një shkollë profesionale në Europë.

Piloti Berisha është i certifikuar po ashtu edhe në kategorinë MCC/JOC (Multi Crew- Jet operation course) të Boeingut 737 new Generation. Specializime të tjera në këtë fushë Artan Berisha ka bërë edhe në akademinë SKY4U në Berlin, si dhe në Dortmund të Gjermanisë (Type Rating ) duke arritur kështu të jete i certifikuar në të gjitha kategoritë nga CJ1 deri tek CJ4.

Aktualisht piloti Artan Berisha, vazhdon karrierën e tij profesionale në fushën e aviacionit në Gjenevë të Zvicrës, ai është i angazhuar në një kompani Business Class me seli në këtë qytet. Destinacionet që ka piloti shqiptar sot përfshijnë vendet kryesisht evropiane.

Destinacionet e rregullta të operimit për pilotin Berisha, janë, duke filluar nga: Parisi, Londër, Bruksel, Rome, Milano, Frankfurt, Dusseldorf, Tiranë, Prishtinë, përfshirë edhe shumë ishuj dhe qytete me emër në Europë; Olbia, Ibiza, Menorca, Pallma de mallorka, Mykonos, Samos, Bodrum, Stamboll, etj.

Për të synim kryesor është operimi me suksese drejt destinacioneve që ka të përcaktuara. Piloti Berisha mbetet i përkushtuar dhe në shërbim të profesionit të tij të respektuar. Ai nuk mendon të ndalet këtu, cak ka avancimin edhe me tuje në fushën e aviacionit civil. Kështu ai  pret që në të ardhmen të marrë edhe titullin e instruktorit. Duke i vënë vetes detyrë që në të ardhmen të gjithë përvojën profesionale ta bartë tek brezat  e rinj, e që përvoja e tij t`i shërbejë fushës së aviacionit, me dëshirën e madhe që një ditë këtë të mund ta bartë edhe në vendin e tij i lindjes, në Kosovë.

© 2022 ALBINFO.CH