Botë

Australia nga afër, mes pafundësisë, heshtjes dhe rendit

Këtë aventurë motoristike përmes Queensland dhe New South Wales, duke kaluar nga Brisbane drejt Hervey Bay, Byron Bay, Coffs Harbour, Tamworth, Glen Innes e deri në kthimin sërish në Brisbane, Australia, e sjell redaktori i platformës albinfo.ch, Bekim Dalipi

Australia nuk të ngjan me asnjë vend tjetër. Është një kontinent që të krijon ndjesinë sikur ke hyrë në një botë paralele, ku gjithçka është më e madhe, më e largët dhe më e heshtur. Një tokë e pafundme ku qytetet moderne humbin mes oqeanit, pyjeve dhe hapësirave që duken sikur nuk mbarojnë kurrë.

Në këtë aventurë motoristike përmes Queensland dhe New South Wales, duke kaluar nga Brisbane drejt Hervey Bay, Byron Bay, Coffs Harbour, Tamworth, Glen Innes e deri në kthimin sërish në Brisbane, Australia na është shfaqur si një përzierje e rrallë mes natyrës së egër, qytetërimit modern dhe një kulture të ndërtuar mbi disiplinën.

Rrugët australiane janë pothuajse perfekte. Të gjera, të pastra dhe të mirëmbajtura me një përpikmëri që të impresionon. Herë kalojnë mes pyjeve tropikale të Maleny, Montville apo Mapleton, herë zbresin drejt brigjeve të pafundme të Paqësorit, e më pas humbin në brendësi të kontinentit, aty ku mbetet vetëm heshtja, fermat dhe horizonti.

Në pjesën bregdetare gjithçka është e gjelbër. Qytetet dhe lagjet duken sikur janë ndërtuar mes natyrës. Pisha të larta, palma, parqe dhe vegjetacion i dendur shoqërojnë pothuajse çdo rrugë.

Gold Coast, që nga larg imagjinohet si një qytet i vogël turistik, por u shfaq si një metropol modern me rrokaqiej dhe jetë që lëviz pa pushim buzë oqeanit.

Megjithate, Australia ndryshon fytyrë sapo largohesh nga bregdeti. Gjithçka bëhet më e thatë, më e ashpër dhe më e zbrazët.

Në ato hapësira gjigande sheh vetëm ferma të mëdha, qindra lopë që kullosin dhe rrugë që vazhdojnë pafund drejt një horizonti të zbehtë.

Distancat janë aq të mëdha sa për një europian duken pothuajse joreale.

Megjithatë ajo që të lë më shumë përshtypje nuk është madhësia, por rendi.

Australia funksionon me një disiplinë të heshtur. Njerëzit janë të qetë, të sjellshëm dhe korrektë. Rregullat respektohen me një seriozitet absolut. Policia është rigoroze dhe komunikacioni kontrollohet, edhe me ndihmën e kamerave, me përpikmëri.

Në disa momente krijohet ndjesia e një shteti me kontroll të plotë institucional, ku çdo gjë ka kufirin dhe rregullin e vet.

Edhe raporti me duhanin e tregon qartë këtë kulturë. Gjatë gjithë qëndrimit pothuajse nuk pashë njerëz me cigare në gojë.

Ndalimet nuk vlejnë vetëm për ambientet e mbyllura, por edhe për shumë hapësira publike të hapura. Është një realitet tjetër nga ai europian, e veçmas per ne shqiptarët.


Edhe arkitektura flet ndryshe. Në Europë rëndesa dhe prestigji maten shpesh me betonin dhe gurin. Në Australi shtëpitë janë të thjeshta, të ulëta dhe kryesisht prej druri, me çati llamarine që përhapen pafund nëpër lagje. Por pas kësaj thjeshtësie fshihet një standard jetese i lartë dhe një organizim që funksionon pothuajse pa zhurmë.

Një pjesë e veçantë e këtij udhëtimi mbeten njerëzit. Miqtë tanë australianë, Illidio dhe Joe, me origjinë portugeze, na kujtuan shumë mikpritjen shqiptare. Të ngrohtë, të kujdesshëm dhe familjarë, ata u kujdesën për çdo detaj të aventurës sonë. Në shtëpinë e Illidios, mes një darke të përgatitur nga Adelada me peshk dhe mish viçi, Australia për një moment humbi largësinë e saj dhe u njeva si në shtëpi.

Por ky kontinent nuk të lejon të harrosh se natyra këtu mbetet ende sovrane. Gjatë rrugëve kemi parë pafund kafshë të egra të goditura nga makinat, kengurë, wombat dhe specie të tjera që dalin papritur nga errësira. Edhe pas më shumë se dy dekadash motociklizëm në Europë, rrallë kam parë një përballje kaq të drejtpërdrejtë mes rrugës dhe natyrës së egër.

Një moment mbeti veçanërisht i ngulitur në kujtesë: një kengur i vogël i preu rrugën, mikut tim Leos në sekondën e fundit pranë Uranganit. Ishte një çast sa i rrezikshëm aq edhe magjepsës. Një kujtesë e fortë se në Australi, pavarësisht qyteteve moderne dhe rregullit perfekt, natyra vazhdon të jetë zotëruesja e vërtetë e këtij kontinenti.

Pas ditëve të gjata në motor dhe qindra kilometrave rrugë, udhëtimi ynë vazhdoi drejt Sydneyt. Qyteti të jep menjëherë ndjesinë e një metropoli global, plot jetë, energji dhe lëvizje. Mes ndërtesave moderne, portit të famshëm dhe Operas ikonike, Sydney duket sikur bashkon Europën, Amerikën dhe Azinë në një qytet të vetëm.

Muzetë, rrugët plot njerëz, restorantet nga çdo kulturë e botës dhe dyqanet që qëndrojnë të hapura deri vonë krijojnë atmosferën e një qyteti që nuk ndalet kurrë. Pas heshtjes së rrugëve të gjata australiane, Sydney të rikthen sërish në ritmin e vrullshëm urban.

Pas dhjetë ditësh në Australi, aventura jonë vazhdon drejt Singaporit dhe më pas Bangkokut. Nga rrugët e pafundme australiane do të kalojmë në metropolet më të ngarkuara dhe më të gjalla të Azisë. Edhe atje nuk do të mungojnë motorët. Me motorë të vegjël do të eksplorojmë rrugët, lagjet dhe disa nga vendet më të frekuentuara të Singaporit dhe Bangkokut, për të parë një tjetër botë, krejt ndryshe nga qetësia dhe pafundësia australiane.

Australia mbetet një vend kontrastesh të mëdha: modern dhe i egër njëkohësisht, i disiplinuar por i qetë, i zbrazët dhe megjithatë plot jetë. Një kontinent ku rrugët duken sikur nuk mbarojnë kurrë dhe ku njeriu, pavarësisht teknologjisë dhe organizimit, mbetet vetëm një udhëtar i vogël mes pafundësisë.

BEKIM DALIPI