Kosova

Bankat në Kosovë janë duke zvogëluar numrin e punëtorëve

Bankat Komerciale në Kosovë janë duke zvogëluar numrin e punëtorëve, pasi që të gjitha shërbimet e tyre po i ofrojnë në mënyrë elektronike. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, vetëm gjatë shtatë viteve të fundit rreth 500 persona kanë mbetur pa punë. Në këtë ulje ka ndikuar kompjuterizimi i sistemit bankar në Kosovë, pasi që tani shumë shërbime mund të kryhen në formë elektronike.

Sektori bankar në Kosovë ka qenë shumë tërheqës për rininë dhe të sapo-diplomuarit pas luftës, si për shkak të pagave mbi mesatare, por edhe për shkak të kërkesës së vazhdueshme për fuqi punëtore. Rritja e numrit të punëtorëve në të gjitha bankat komerciale në vend ka vazhduar deri në vitin 2011, kur në këtë sektor kanë qenë të punësuar mbi 3 mijë e 700 punëtorë. Por, nga ai vit e deri në fund të vitit të kaluar, në këtë sektor kanë mbetur pa punë rreth 500 vetë. Uljen e numrit të punëtorëve e ka konfirmuar për Radio Kosovën, edhe zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, shkruan RTK, përcjell Albinfo.ch.

“Fillimisht në vitin 2009, bankat komerciale kanë pasur 3459 punëtorë, pastaj ky numër ka shkuar duke u rritur, shembull në vitin 2010 kemi 3610, ndërkohë viteve të mëvonshme deri në vitin 2018 kemi pasur një ulje të numrit të punëtorëve. Sigurisht një prej faktorëve, të gjithë e kemi parë, kanë qenë sistemet teknologjike, janë futur shumë programe, aplikacione”, tha Ahmeti.

Bankat komerciale duke shtrenjtuar shërbimet në sportele kanë shtyrë qytetarët të shfrytëzojnë shërbimin e-banking. Tashmë shumica e transfereve bëhen me këtë sistem, thotë Ahmeti.

“Vetëm gjatë këtij muaji, në mënyrë elektronike, përmes shërbimit e-banking, janë kryer 297,958 transfere krediti, nga gjithsej 434,796 transfere krediti. Kjo tregon se 68.5% e këtyre transfereve janë realizuar në mënyrë elektronike, pra, është e qartë që pjesa dërmuese e klientëve të bankave po i përdorin sistemet elektronike, përkatësisht sistemet e e-bankingut.”

Rritjen e numrit të xhirollogarive me e-banking e ka konfirmuar për Radio Kosovën edhe Shoqata e Bankave të Kosovës. Përmes përgjigjes elektronike, kjo Shoqatë ka thënë se në vitin 2010 kanë qenë pak më shumë se 55 mijë konto me e-banking, kurse në përfundim të vitit 2018 ky numër ka arritur në mbi 250 mijë. Rritje ka pasur edhe te Pos mjetet, përkatësisht mjetet për pagesa me kartelë, ku për tetë vite numri është dyfishuar dhe ka arritur në mbi 13 mijë. Por bankat si duket nuk janë të interesuara të rrisin numrin e ATM-ve,përkatësisht bankomatëve, pasi nga viti 2010 kur kanë qenë 415 sosh, për tetë vite ka rritje vetëm për 76 ATM. Shoqata e Bankave po ashtu ka konfirmuar të dhënat e uljes së numrit të punëtorëve në bankat komerciale. Megjithatë, nuk ofroi të dhëna se në cilët bankat komerciale ka pasur ulje më të madhe të punëtorëve, duke thënë se nuk ka të dhëna për bankat individuale, shkruan RTK, përcjell Albinfo.ch.