Kosova

BE-ja e gatshme të punojë me qeverinë e re, përmend dialogun me Serbinë

BE: Synojmë të zbusim masat, presim zgjedhje mirë të administruara

Një numër shtetesh anëtare të BE-së, përfshirë edhe Francën e Italinë, kanë kundërshtuar heqjen e masave ndaj Kosovës, thonë burime në Bruksel. Por një pjesë e shteteve të tjera anëtare të BE-së janë shprehur për heqjen e masave. Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve komunale dhe transferit paqësor të pushtetit në veri, mendohej se Kosova ka arritur në pikën kur duhej të hiqeshin ato, megjithëse BE-ja nuk e ka bërë të qartë një gjë të tillë. Në një përgjigje për RTV21, një zëdhënës i BE-së tha se Bruskeli mirëpret dorëzimin e rregullt të qeverisjes lokale nëpër komunat e veriut.

“Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për heqjen graduale të masave që kanë qenë në fuqi në maj 2025. Siç është thënë më parë, ne synojmë t’i zbusim më tej këto masa. Ne e mirëpresim dorëzimin e rregullt të qeverisjes lokale në 4 komunat veriore dhe presim që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve”.

Bashkimi Evropian përmendi edhe zgjedhjet që do të mbahen më 28 dhjetor dhe tha se pret një proces zgjedhor gjithëpërfshirës.

“Ne gjithashtu e marrim shënim shpalljen e zgjedhjeve të reja parlamentare më vonë gjatë dhjetorit dhe theksojmë rëndësinë e një procesi zgjedhor mirë të administruar dhe konkurrues — përfshirë pjesëmarrjen, certifikimin e partive politike dhe akreditimin e mediave nga të gjitha komunitetet. BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen, dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Ne presim me padurim që Kosova të rikthehet në binarët e reformave të nevojshme për BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe për të avancuar në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”.

Megjithëse mendohej se BE mund të heq masat ndaj Kosovës së paku deri pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, hulumtuesi i Grupit për studime juridike dhe politike, Besar Gërgi thotë se një varg veprimesh përfshirë edhe ato të anëtarëve të KQZ-së kundrejt Listës Serbe, e kanë shtyrë këtë vendim.

“Kemi edhe vendimin e anëtarëve të KQZ-së për mos certifikimin e Listës serbe gjë që mund të ketë ndikuar…”, ka thënë Gërgi. 

Masat ndaj Kosovës u vendosën në qershor të vitit 2023, ndërkohë Bashkimi Evropian vitin e kaluar kishte vendosur që masat ndaj Kosovës të hiqen në mënyrë graduale, që ndërlidhej me deeskalim të situatës në veri. Masat e BE-së e dëmtuan Kosovën me rreth 600 milionë euro fonde të pezulluara të cilat, thonë organizatat joqeveritare, rrezikojnë të humbasin përfundimisht. Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini thotë se humbjet janë shumë më të mëdha.

“Humbjet nga masat prekin miliarda, tregojnë se Kosova po mbetët e izoluar qoftë nga faktori ndërkombëtare qoftë nga masat e BE-së qoftë edhe nga SHBA së fundmi kur ndali dialogun strategjik…”, tha Shahini për rtv21

Megjithatë, njohësi i rrethanave politike, Arton Muhaxheri, u shpreh skeptik se Kosovës do t’i hiqen masat pas 28 dhjetorit. Sipas tij, autoritetet në Kosovë nuk kontribuuan në përmirësimin e marrëdhënieve me aleatët.

“Masat nuk hiqen deri sa të është Albin Kurti këtu nuk hiqen pavarësisht tranzicionit paqësor sepse nuk është determinuese sa po i dëgjon bashkësinë ndërkmbëtare në këtë moment…”, deklaroi Muhaxheri. 

Përveç dëmeve financiare, masat ndëshkuese të BE-së dëmtuan edhe imazhin e Kosovës, meqë, ato futën Kosovën në një listë me shtete problematike siç është Rusia.