Lajme

BE kërkon biletë të vetme për udhëtimet me tren në Evropë

Udhëtimet ndërkombëtare me tren në Bashkimin Evropian pritet të bëhen më të thjeshta. Komisioni Evropian ka propozuar që pasagjerët të mund të blejnë një biletë të vetme për udhëtime që përfshijnë disa kompani hekurudhore dhe disa vende.

Komisioni Evropian ka prezantuar një paketë ndryshimesh ligjore që synon thjeshtimin e udhëtimeve ndërkufitare me tren. Sipas propozimit, udhëtarët do të mund të rezervojnë një udhëtim të vetëm përmes një platforme të vetme, edhe kur udhëtimi përfshin disa kompani hekurudhore, transmeton albinfo.ch.

Për shembull, një udhëtim nga Berlini në Barcelonë do të mund të blihej me vetëm një biletë, pa pasur nevojë për rezervime të ndara për çdo kompani transporti.

Sipas planit të Komisionit, platformat e mëdha të shitjes së biletave do të detyrohen të ofrojnë edhe bileta nga operatorë të tjerë, nëse këta të fundit e pranojnë këtë bashkëpunim. Po ashtu, kompanitë hekurudhore do të duhet të ndajnë të dhëna për oraret, çmimet dhe vonesat e trenave.

Më pak komplikime për udhëtarët ndërkombëtarë

Sistemi aktual i hekurudhave në Evropë është i ndarë në 27 sisteme kombëtare, ku çdo shtet dhe kompani ka platformën e vet të shitjes së biletave. Kjo shpesh i detyron udhëtarët të blejnë disa bileta dhe të nënshkruajnë disa kontrata për një udhëtim të vetëm ndërkufitar.

Komisioni Evropian synon ta ndryshojë këtë praktikë duke krijuar një sistem më të integruar dhe më të thjeshtë për pasagjerët.

Të drejta të reja për pasagjerët

Propozimi i ri parashikon edhe mbrojtje më të madhe për udhëtarët. Nëse një tren vonohet dhe pasagjerët humbasin lidhjen, ata do të kenë të drejtë të vazhdojnë udhëtimin me një tren tjetër pa pagesë shtesë ose të kërkojnë rimbursim të biletës.

Gjithashtu, në rast vonesash të gjata që kërkojnë qëndrim gjatë natës, pasagjerët mund të kenë të drejtë për ushqim dhe akomodim. Megjithatë, kusht mbetet që të jetë lënë kohë e mjaftueshme për ndërrimin e trenave.

Sipas planit, kompania përgjegjëse për vonesën do të mbajë përgjegjësinë për kompensimet.

Kundërshtime nga operatorët hekurudhorë

Disa përfaqësues të sektorit hekurudhor kanë kritikuar propozimin. Sipas tyre, detyrimi për të shitur bileta të konkurrentëve mund të krijojë ndërhyrje në treg dhe komplikime të reja për operatorët.

Megjithatë, mbështetësit e projektit theksojnë se ndryshimet do ta bëjnë udhëtimin me tren më të lehtë dhe më tërheqës për pasagjerët, sidomos për udhëtimet ndërkombëtare në Evropë.