Kosova

Befason “The Guardian”: Serbia mund të ndërhyjë në Kosovë

Sipas gazetës së njohur britanike, “The Guardian”, Serbia është duke e shqyrtuar ndërhyrjen e mundshme ushtarake në Kosovë, pasi Kuvendi i Kosovës e miratoi njëzëri formimin e ushtrisë.

Beogradi e ka quajtur këtë veprim si kërcënimin më të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin e rajonit, ndërsa shefi i NATO-s ka thënë se formimi i ushtrisë nuk po bëhet në kohën e duhur.

Votimi i ushtrisë u bë me 107 vota për dhe asnjë kundër. Pjesë e votimit ishin tri ligje. Në to parashihet edhe rritja e numrit të pjesëtarëve, themelimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ndryshimi i detyrave dhe misionit të Forcave të Armatosura. Të vetmit që e kanë bojkotuar votimin kanë qenë deputetët e pakicës serbe, përcjell albinfo.ch.

Sipas gazetës së njohur britanike, Serbia këmbëngul se ushtria e re e shkel rezolutën e Kombeve të Bashkuara e cila e shënoi fundin e luftës në Kosovë. Ajo ka kërcënuar se mund të ndërhyjë ushtarakisht në ish-provincën e saj. Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se ndërhyrja e armatosur është njëra nga opsionet që i kanë mbi tavolinë.

Artikulli nga The Guardian

Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se do të kërkojë mbajtjen e një seance urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të vendimit të Kosovës për transformimin e FSK-së në Ushtri.

“Serbia do të kërkojë sot një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të shkeljes më të madhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke miratuar vendimin e Prishtinës për të formuar të ashtuquajturën Ushtri të Kosovës”, tha ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

“Ky është kërcënimi më i drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe sigurinë e popullit serb që jeton në Kosovë dhe Metohi”, tha Daçiqi për Tanjugun.