Shqipëria

Begaj viziton Luginën e Preshevës: Shqipëria do të jetë avokate e të drejtave tuaja

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Luginën e Preshevës, ku u takua me krerët politikë dhe institucionalë lokalë. Në fokus të bisedimeve ishte koordinimi i faktorit shqiptar dhe adresimi i shqetësimeve kryesore të banorëve të kësaj treve, përfshirë procesin e diskutueshëm të pasivizimit të adresave.

​Gjatë qëndrimit të tij, Presidenti Begaj zhvilloi takime të veçanta me kryetarët e komunave, Ardita Sinani dhe Arbër Bajaziti, deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberin, si dhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepin.

​Kreu i Shtetit shqiptar u bëri thirrje liderëve lokalë për bashkim rreth interesit kombëtar, duke premtuar angazhim maksimal të Tiranës zyrtare në arenën ndërkombëtare.

​”Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare”, deklaroi Begaj pas takimeve.

​Vizita e Presidentit vjen në një moment sfidues për komunitetin shqiptar atje. Begaj siguroi përfaqësuesit e Luginës se Shqipëria do të funksionojë si një avokate e palundur e të drejtave të tyre në çdo kancelari dhe institucion ndërkombëtar, me fokus të veçantë te projektet mbështetëse për rininë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.