Bota

Belgjikë: Të paktën 3 të vdekur nga shembja e ndërtesës së shkollës

Nëntë persona u arrit të  shpëtoheshin të gjallë, tetë prej të cilëve me lëndime të rënda. Gjendja e tyre të shtunën ishte e qëndrueshme

Në Antwerp, Belgjikë, një shkollë që ishte ende në ndërtim, është shembur të premten pasdite. Deri më tani, tre të vdekur janë nxjerrë nga rrënojat: njëri të premten dhe dy të tjerë, sot, e shtunë.

Sipas Bruksel Times,dy të vdekurit e gjetur sot janë një rumun dhe një portugez. Të paktën dy persona ishin duke u kërkuar  ende në rrënoja. Janë vënë në përdorim qentë zbulues dhe vinçat specialë si dhe një dron.

Pjesë të ndërtesës së re dhe skela në qarkun Nieuw Zuid ishin shembur për arsye të panjohura. Një person i vdekur është zbuluar në rrënoja të premten. Nëntë persona u arrit të  shpëtoheshin të gjallë, tetë prej të cilëve me lëndime të rënda. Gjendja e tyre të shtunën ishte e qëndrueshme.

Një person tjetër, me lëndime më të lehta, ishte në gjendje të largohej nga spitali disa orë më vonë. Të lënduarit dhe të zhdukurit kishin  qenë duke punuar në vendin e ndërtimit. Shkolla duhet të bëhej gati për t`u hapur  më 1 shtator.

Sipas agejncisë së lajmeve Belga, nga kompania e ndërtimit e ngarkuar  me ndërtimin e shkollës është thënë se po bënin gjithçka që mundnin për të zbuluar shkakun e aksidentit, transmeton albinfo.ch. “Ne jemi duke u përpjekur t’u përgjigjemi të gjitha pyetjeve, por është ende shumë herët për momentin”.

Mbreti belg Philippe ka shprehur ngushëllimet dhe dëshirat e tij për mirëqenie dhe njoftoi një vizitë në vendin e aksidentit.