Lajme

Bernë: Voziti 164 km/h në zonë me kufizim 80 km/h

Policia kantonale e Bernit ndalon një 56-vjeçar në Oberösch të komunës Ersigen dhe ia konfiskon patentë-shoferin.

Kantonspolizei Bern ka ndaluar një shofer që po lëvizte me shpejtësi shumë mbi kufirin e lejuar gjatë një kontrolli të trafikut të zhvilluar të martën në mbrëmje në Oberösch, në komunën Ersigen, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë, 56-vjeçari u kap duke vozitur me 164 kilometra në orë, në një segment rrugor ku shpejtësia maksimale e lejuar është 80 km/h.

Shoferi u identifikua gjatë një kontrolli të shpejtësisë në rrugën Bern–Zürich, në zonën e Dörflistrasse. Pas një ndjekjeje të shkurtër, policia arriti ta ndalojë automjetin dhe ta kontrollojë drejtuesin.

Më pas, burri u shoqërua në një stacion policor për verifikime të mëtejshme. Autoritetet i konfiskuan menjëherë patentë-shoferin, ndërsa ai pritet të përballet me drejtësinë sipas ligjeve zvicerane për shkeljet e rënda të shpejtësisë, të njohura si “raserdelikte”.

Policia bëri të ditur se procedurat ligjore ndaj tij janë në vazhdim./Albinfo.ch