Lajme
Bie qeveria e Malit të Zi, 50 vota rrëzojnë kryeministrin Abazoviç
Raportohet se pas dymbëdhjetë orë diskutimi, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviç, një orë pas mesnatës së 20 gushtit, përcjell albinfo.ch.
Qeveria është rrëzuar me 50 vota pro dhe një kundër.
Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.
Tani e tutje qeveria e Abazoviç do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç dhe një pjesë e partive të tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Për rrëzimin votuan deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Milo Gjukanoviqit, Demokratët e Aleksa Beçiqit, Partisë Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partisë Boshnjake, Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve dhe Malit të Zi të Vërtet.
Deputetët e Frontit Demokratik pro-Serb, Partisë Popullore Socialiste dhe Lëvizjes Qytetare URA të Abazoviç nuk morën pjesë në votim.
Gjatë mbrëmjes së 19 gushtit, Abazoviç u përpoq të parandalonte rënien e Qeverisë duke u ofruar partive opozitare që të ristrukturojnë së bashku Qeverinë, gjë që nuk kaloi.
Para votimit, në fjalën përfundimtare, Abazoviq tha se kjo është vetëm një nga betejat politike dhe se të gjithë së shpejti do të takohen në zgjedhje.
Ai tha se shpreson që shpejt do të konstituohet qeveria e re dhe të gjendet mandatari për formimin e saj.
“Lufta politike për momentin është mes Dritan Abazoviçit dhe Milo Gjukanoviçit”, ka shkruar ai në rrjetin Telegram pas rrëzimit.
Abazoviç ka thënë se Marrëveshja Themelore me Kishën Ortodokse Serbe është arsyeja kryesore e rrëzimit të qeverisë së tij.
“Sonte votohet iniciativa e DPS-së, e cila tha se kur ta rrëzojnë Qeverinë, do ta anulojë Marrëveshjen Themelore. Nëse sonte e rrëzoni qeverinë, mos na thirrni më për negociata. Marrëveshjen Themelore nuk e kam nënshkruar as për vota, as për mbështetje, as për qeveri, por për pajtimin e popullit të Malit të Zi”, tha gjatë seancës Abazoviç.
Qeveria e Dritan Abazoviçit është zgjedhur më 28 prill të këtij viti me votat e DPS-së, URA-s, SDP-së, Partisë Popullore Socialiste pro-serbe dhe partive të popujve pakicë.
Dritan Abazoviç ishte kryeministri i parë i Malit të Zi, i cili i përket një komuniteti kombëtar pakicë. Ai e gjeti veten në krye të shtetit pas zgjedhjeve të vitit 2020, kur përfundoi qeverisja tridhjetëvjeçare e Partisë Demokratike të Socialistëve Milo Gjukanoviq. Në atë kohë, Lëvizja Civile URA e Abazoviqit ishte “pika e kthesës” për formimin e një qeverie të re në Mal të Zi.
Në qeverinë e mëparshme të Zdravko Krivokapiqit, ai ishte nënkryetar. Pas inicimit të rrëzimit të Qeverisë së Krivokapiqit në shkurt të këtij viti, Abazoviq u bë kryeministër i ri me ndihmën e Partisë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit në fund të prillit.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vënë në funksion 23 kuti postare në shtete të... -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi -
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato
Jeta në Zvicër
-
Pse Zvicra duhet të përqendrohet më shumë te kursimi i energjisë? Kushtetuta e Zvicrës parashikon që energjia të përdoret me kursim dhe në mënyrë të arsyeshme. Fondacioni... -
Temu, Shein, AliExpress: A duhet Zvicra të taksojë paketat kineze si BE-ja? -
Këshilli Kombëtar i Zvicrës miraton 1 milion franga për luftën kundër dhunës me bazë gjinore -
Asnjë kaos nga ndryshimi më i madh i orareve të transportit publik në Cyrih -
Studim alarmues: Deri në 90% e akullnajave mund të zhduken deri në vitin 2100












