Kosova

Bislimi: Komisioni Evropian heq shumicën e masave ndaj Kosovës

Sipas tij, ky vendim përbën një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë shumicën e masave ndaj Kosovës, të lidhura me projektet e programeve IPA.

Përmes një postimi në Facebook, Bislimi njoftoi se gjatë ditës së sotme ka pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, në të cilën konfirmohet vendimi i Komisionit Evropian për heqjen e këtyre masave, në vlerë prej 34.6 milionë euro.

Ai theksoi se institucionet e Kosovës kanë insistuar vazhdimisht në heqjen e masave dhe e ka mirëpritur këtë hap nga ana e BE-së, duke vlerësuar se procesi duhet të vazhdojë sa më shpejt me heqjen e plotë të tyre.

“Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e masave të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë”, ka deklaruar Bislimi.

Sipas tij, ky vendim përbën një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe avancimit të mëtejmë të procesit të integrimit evropian të vendit.