Shqiperia

Blinken nis zyrtarisht vizitën e parë në Tiranë

Pritet nga ministri i Jashtëm dhe amabsadori i Shqipërisë në SHBA, eskorta niset drejt kryeqytetit

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, nis zyrtarisht vizitën e tij të parë në Tiranë, përcjell albinfo.ch.

Ai zbriti në aeroportin e Rinasit ku u prit nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, amabsadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, bashkë me të dërguarin me punë të SHBA në Tiranë, David Wisner.

“Mirë se erdhe, Antony!  I lumtur për të mirëpritur Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, në vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri. Partneriteti dhe bashkëpunimi strategjik i Shqipërisë me SHBA-në, aleatin tonë të vjetër, vetëm sa do të forcohet, i ndërtuar mbi një themel të fortë midis vendeve dhe njerëzve tanë. I jam jashtëzakonisht mirënjohës Sekretarit Blinken për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij të paçmuar”, shkruan në platformën X Hasani.

Në aeroportin e Rinasit është edhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Në tapetin e kuq janë të rreshtuar edhe disa marinsa amerikanë që shërbejnë në Ambasadën amerikane në Tiranë.

Nën masa të forta sigurie, sekretari Blinken do t’i drejtohet Tiranës në këtë vizitë intensive 8-orëshe në Tiranë.

Rreth 1000 forca policore janë në terren për të mundësuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e vizitës së tij në Tiranë.

Kjo është vizita e tij e parë në Shqipëri, ku pritet të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe me kryeministrin Edi Rama.