Turizëm

Blogerja nga Zelanda e Re jep shumë arsye pse duhet vizituar Shqipëria

 

Në vazhdën e shkrimeve të mira për Shqipërinë, sidomos për turizmin, një shkrim të këtij lloji ia ka kushtuar këtij vendi një blogere nga Zelanda e Re.

 

Ajo që ka shumë ndjekës në rrjetet sociale, u ka bërë thirrje atyre që ta vizitojnë Shqipërinë, madje ka thënë se ky vend është më i sigurt se shumë vende të tjera në Evropë.

 

“Shqipëria është një vend shpesh i keqkuptuar. Mes Malit të Zi dhe Greqisë, shtrihet një parajsë e fshehur, që shumë herë, njerëzit e humbasin ose nuk e dinë se ku ndodhet në hartë. Unë u dashurova me Shqipërinë. Plazhet e saj të mëdha dhe njerëzit miqësorë më bënin të ndihesha e sigurt gjatë gjithë kohës”, ka shkruar ajo, përcjell albinfo.ch.

 

Në shkrimin e gjatë ajo i ka përshkruar plazhet në bregdetin shqiptar si nga më të bukurit në Evropë. Ndërsa ka përmendur  plazhin e Ksamilit, Dhërmiut dhe Borshit.

Ndër karakteristikat e tjera ajo ka thënë se njerëzit në Shqipëri  janë jashtëzakonisht mikpritës.

“Shqiptarët i duan të huajt! Ata ju mirëpresin krahëhapur dhe me zemra të hapura, ky është moment kur e kuptoni se është një destinacion i mrekullueshëm udhëtimi. “Nga jeni?”, është një pyetje popullore që ju bëhet kur jeni duke udhëtuar nëpër Shqipëri. Kur thosha “Nga Zelanda e Re” fytyrat e tyre ndizeshin nga lumturia, gëzimi dhe ndonjëherë pak konfuzion. Po, Zelanda e Re është shumë larg”, shkruan ajo.

 

Po ashtu në shkrim ajo ka thënë se Shqipëria ka shumë kështjella të bukura dhe vende historike, përmend këtu Butrinti, Beratin dhe Gjirokastrën, të cilat janë vende të mbrojtura nga UNESCO.

Ajo ka përshkruar në këtë shkrim edhe qytetin e Shkodrës dhe ka folur për bukuri natyrore duke thënë se  “nuk është çudi që Shqipëria është një parajsë për dashamirësit e natyrës”.