Kosova

Kosova, “strehë” e sigurt për turistët

Ata që vendosin të kalojnë fundjavën ose pushimin në Kosovë, duhet të përgatiten se çmimet e akomodimit janë më të larta se në regjion

Edhe pse me sipërfaqe të vogël, Kosova me bukuritë e shumta natyrore e monumentet kulturore, ka arritur të futet në hartën e shumë turistëve të huaj. Kështu, numri i atyre që po e zgjedhin Kosovën si destinacion për t’i kaluar pushimet e tyre po rritet dita-ditës.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë muajit janar të vitit 2023, në hotelet dhe njësitë tjera akomoduese të Kosovës kanë qëndruar 38 mijë e 465 vizitorë, të huaj e vendorë.

Krahasuar me statistikat e muajit janar të 2022-ës, sivjet numri i vizitorëve është rritur për 36.8 për qind.

Foto: Arian Mavriqi

Për më tepër, këtë vit, bazuar në të dhënat e ASK-së, vizitorët qëndruan edhe më gjatë, duke bërë që edhe numri i netëve të qëndrimit të rritet për 25 për qind. Numri më i madh i turistëve vijnë nga Shqipëria, Gjermania e Zvicra.

Destinacioni më i preferuar i tyre është regjioni i Prishtinës. Vetëm gjatë muajit janar të 2023-ës, ky regjion u vizitua nga 13 mijë e 870 turistë.

Ndërsa në muajin më të shkurt të vitit, hotelet e Kosovës patën 37 mijë e 376 vizitorë vendorë e të huaj.

Edhe në shkurt, më së shumti turistë pati regjioni i Prishtinës, 12 mijë e 427 sosh. Kurse, ata që zgjodhën për ta vizituar Pejën qëndruan më së gjati aty, duke bërë që ky regjion të ketë numrin më të madh të netëve të qëndrimit, gjithsej 38 mijë e 333.

Foto: Arian Mavriqi

Numri i turistëve, sipas të dhënave të ASK-së, u katërfishua në muajin mars. Gjatë këtij muaji, në hotelet e Kosovës u akomoduan 52 mijë e 89 turistë, rreth 70 për qind të të cilëve ishin të huaj.

Vendet më të vizituara ishin Prishtina, Peja e Prizreni.

Kurse, sa u përket vizitorëve  nga jashtë, numri më i madh ishte nga Shqipëria, Gjermania e Zvicra.

“Turistët duan tradicionalen, jo luksin”

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, në një intervistë për revistën Albinfo.ch, ka treguar se çfarë po i tërheq të huajt për ta vizituar Kosovën dhe mbresat që ata kanë për këtë vend të vogël.

“Rajoni i Prishtinës është rajoni më i frekuentuar, normalisht sepse këtu përveç anës turistike, zhvillohet edhe turizmi biznesor, meqenëse është kryeqendër. Për net qëndrimi, e para është Peja, për shkak të alpeve si destinacion turistik dhe investimeve nga sektori privat. Kjo bën që net qëndrimi të kemi më shumë në Pejë sesa në Prizren. Turistët që vijnë nga Shqipëria më shumë preferojnë Bogën, Prevallën dhe gjithashtu edhe disa pjesë të Brezovicës. Ndërsa, ata që vijnë nga shtetet e tjera vizitojnë edhe komunat dhe rajonet e tjera, si: Shalën e Bajgorës, pjesën e Kaçanikut me Luboten, Ferizajt me Jezerc“, tregon ai.

Foto: Arian Mavriqi

Sogojeva thotë se turistët që zgjedhin Kosovën si destinacion të pushimeve të tyre janë të dhënë pas tradicionales, duke u nisur nga ushqimet e deri te shërbimi e akomodimi.

Prandaj, preferencat e tyre, sipas tij, kanë nxitur zhvillimin e turizmit rural, duke bërë që disa familje të fillojnë kultivimin e kulturave bujqësore e rritjen e bagëtive, për t’ju ofruar vizitorëve ushqime me produkte krejtësisht bio.

Foto: Arian Mavriqi

“Trendet në botë, jo vetëm te ne, po shkojnë drejt turizmit rural. Më shumë po i preferojnë ushqimet tradicionale, fjetjen tradicionale, jo në atë kuptimin e luksit të madh. Ka filluar edhe te ne një trend që disa familje po mbajnë gjedhe, dele, duke e shfrytëzuar edhe mishin dhe të gjitha bio. Prandaj përveç ushqimeve tradicionale, si flija, turistët i duan edhe ushqimet dhe produktet e natyrës, si dhe kafshët e egra: si kaprojtë, lepujt”.

Kosova, më e shtrenjta në rajon

Ata që vendosin të kalojnë fundjavën ose pushimin në Kosovë, duhet të përgatiten se çmimet e akomodimit janë më të larta se në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi.

Këto çmime, sipas Sogojevës, janë për shkak të mungesës së konkurrencës.

“Tash, dorën në zemër, me thënë të drejtën, në rajon, ne jemi më të shtrenjtit. Kjo për shkak se ka mungesë të konkurrencës në Kosovë. Unë kam informata, që hotelet e mëdha janë mbi 90 për qind të rezervuara sot, kur ende nuk ka filluar sezoni, prandaj nuk i zbresin çmimet. Në krejt Kosovën janë tetë mijë dhoma dhe diku 12 mijë – 12 mijë e 500 shtretër. Nëse rritet ky numër, rritet konkurrenca dhe çmimet bien”.

Foto: Arian Mavriqi

Në tërë Kosovën janë gjithsej 500 njësi akomoduese, ku hyjnë: hotelet, motelet, fshatrat turistike, bujtinat e hostelet.

Megjithatë, strehë e sigurt

Pavarësisht që kostoja për të qëndruar aty mund të jetë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit, në Kosovë do të jesh i sigurt.

Ndonëse shumë prej tyre kanë paragjykime për sigurinë në Kosovë, , Sogojeva thotë se me vizitën e parë ndërrojnë mendje.

“Përkundër të gjithave, turisti dëshiron të shkojë aty ku nuk ka probleme. Ata i sugjerojnë që së pari të paraqiten në ambasada dhe pastaj të dalin të shëtisin, por kur vijnë dhe e shohin se si është gjendja në të vërtetë, ndërrojnë mendje”.

Sogojeva bën thirrje që patjetër të themelohet Agjencioni Kombëtar i Turizmit, i cili është baza kryesore e promovimit të Kosovës, e cila, thotë se ka mjaft për të promovuar.

(Fotot: Arian Mavriqi)