Shqipëria

‘Braktis’ Anglinë për Shqipërinë

I tillë është rasti i dr. Artan Bano, i cili ka ushtruar profesionin e kirurgut ortoped për shumë vite në Greqi dhe së fundmi në Mbretërinë e Bashkuar

Mjekë shqiptarë në SHBA e Angli, nga vendet më të zhvilluara të botës, po preferojnë te kthehen në Shqipëri për të jetuar dhe ushtruar këtë profesion fisnik.

I tillë është rasti i dr. Artan Bano, i cili ka ushtruar profesionin e kirurgut ortoped për shumë vite në Greqi dhe së fundmi në Mbretërinë e Bashkuar. Prej disa muajsh ai ka zgjedhur të kthehet në Shqipëri, i punësuar ne Spitalin Universitar të Traumës.

Në një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, dr. Bano tregon se jeta prej shume vitesh jashtë, nuk ia ka bërë të lehtë këtë vendim.

“Vendimi është i vështirë sidomos kur je i integruar në një shoqëri tjetër. Kam jetuar shumë vite jashtë vendit dhe gjithmonë ka qenë një dëshirë që nuk e kam vetëm unë, por edhe njerëz të tjerë që jetojnë jashtë; një ditë të kthehen, të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri. Kjo, sigurisht ndodh edhe për shkak të forcës së kujtimeve dhe njerëzve të afërt në Shqipëri. Balancat me kalimin e viteve ndryshojnë; kur je i ri, rend pas karrierës dhe shumë gjërave interesante që mund të gjesh në një shoqëri tjetër. Me kalimin e viteve marrin peshë edhe faktorë të tjerë të jetës”, ka nënvizuar doktori, përcjell albinfo.ch.

Dr. Bano aplikoi dhe fitoi pozicionin e kirurgut ortoped në spitalin e Traumës dhe kjo u bë shkak për marrjen e vendimit për t’u rikthyer.

“Të them të drejtën aplikova në vendin e ortopedit, këtu në spitalin ushtarak dhe fitova. Kjo u bë nxitje për të marrë vendimin, për më tepër edhe nga bisedat me kolegët të cilët më informuan që situata e shëndetësisë kishte ndryshuar dhe po ndryshon çdo ditë”.

Lidhur me kushtet në spital, dr. Bano thotë se këto të fundit kanë ndryshuar. “Gjërat kanë ndryshuar për mirë. Pjesa e sterilitetit është një nivel kënaqshëm dhe si kirurg kjo ma lehtëson punën”.

Dr. Bano në vazhdim të bisedës na thotë se në një të ardhme të afërt, në Shqipëri mund të ndodhë njësoj sikurse edhe në vende të tjera të zhvilluara: mjekët shqiptarë do vijojnë të kthehen në vendin e tyre, sigurisht me suport nga strukturat shtetërore.

“Unë pata fatin që në Greqi të punoj me shumë kirurgë ortopedë të specializuar në Angli dhe Amerikë. Këta mjekë i gjeta në një moment të veçantë, pasi ata kishin vite që ishin larguar dhe u kthyen në një moshë produktive në vendin e tyre (mosha 45-50 vjeç). Ajo çka bënë në Greqi është që e ngritën nivelin e ortopedisë në nivel tjetër, duke dhënë kontributin edhe në periferi jo vetëm në qendrat kryesore. Mendoj që kjo, mund të ndodhë në një të ardhme të afër edhe në Shqipëri”.

Ndërkaq, mjeku na tregon që shumë miq të tij, apo njerëz të njohur ende tregohen skeptikë për rikthimin e tij, duke nënkuptuar se ai ka bërë gabim që ka lënë Anglinë për Shqipërinë dhe për pyetjen se a do të kthehej një ditë përsëri në Angli mjeku ortoped e ka një përgjigje:

“Është një shprehje greke që thotë: e përkohshmja është e përhershme. Njeriu kalon në një proces në të gjithë jetën e tij. E rëndësishme është që të bëjë gjëra të rëndësishme. Kam punuar në 15 spitale nga më të mirët në Greqi e Angli dhe me vendimin që kam marrë, dua të provoj veten në një situatë të re. Nuk është e thjeshtë, është një sfidë për mua që të punoj në një ambient të ri. Ka vështirësitë e veta si kudo. Në fund të ditës bën një bilanc: është një ambient i shëndoshë kolegësh, kushte të mira në spital dhe jam afër familjes. Mendoj që njerëzit ndoshta edhe të paragjykojnë: e bëjnë pyetjen dhe nuk presin një përgjigje nga ajo që ti do thuash, sepse e kanë të mbushur mendjen që ke bërë gabim që je kthyer dhe këtë e lexoj në shikimin e tyre. Gjithsesi, edhe pse për mua ishte një vendim kompleks, unë zgjodha vendin tim”.