Shqipëria përtej bregdetit

Bukuritë shqiptare, në syrin e Fation Plakut 

Fation Plaku është një fotograf dhe alpinist i njohur në Shqipëri. Pasionin për të eksploruar vendet turistike në Shqipëri e shohim në fotografitë e tij tashmë të njohura për publikun ndërkombëtar dhe atë shqiptar 

Shqipëria ka shumë vende që ia vlen të zbulohen dhe vizitohen. Male, vende historike, gërmadha qytetërimesh që reflektojnë kulturë të lashtë dhe, sigurisht, një bregdet të thyer e shumë tërheqës. Por, shumë nga këto do të ishin të pazbuluara nëse nuk do t’i fotografonte Fation Plaku. Duke qenë i pasionuar pas fotografisë dhe alpinizmit, Fationi fotografitë e tij i ka sjellë shpesh herë para publikut ndërkombëtar dhe atij vendës.

Pasi që se viteve të fundit është rritur numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë për të shijuar bukuritë e shumta që ajo fsheh përtej bregdetit, në hinterland, fotografitë e Plakut, sigurisht do t’i motivojnë ata që t’i vizitojnë këto vende nga afër. Kjo pasi që tablotë e fotografit të pasionuar synojnë prezantimin e atraksioneve që ende nuk gëzojnë njohje nga publiku i gjerë.

Fationi rrëfen për albinfo.ch lidhur me vendet që i ka fotografuar, përshtypjet që bart nga to. Ai në këtë intervistë u sugjeron turistëve, të huaj dhe vendës, pikat më interesante që duhet t`i vizitojnë në Shqipëri. Ndërkaq, si një alpinist i pasionuar, Plaku na e zbulon se si e pushtoi majën më të lartë në botë, Everestin, dhe shumë maje botërore, por edhe shqiptare.

Ka dy pasione

Me fotografi dhe alpinizëm merret prej 20 vitesh. Vendet që i viziton, edhe i fotografon, duke kombinuar kështu këto dy pasione që i ushtron në kohën e lirë ndërkohë që ai punon në Ambasadën Amerikane në Tiranë.

“Fotografia është pasioni im. Në Shqipëri ka shumë vende të bukura, të pazbuluara, si për turistët e huaj, ashtu edhe për vendësit në Shqipëri, dhe me anë të fotografive të mia mundohem të kontribuoj në këtë aspekt”, thotë ai.

Plaku ka një projekt që pritet ta realizojë shumë shpejt. “Dua të bëj një album për Shqipërinë me vendet më të bukura dhe të pazbuluara të Shqipërisë. Për disa muaj besoj se ky projekt imi do të realizohet”, thekson tutje Fationi. Kjo, sipas tij, është shumë e rëndësishme, pasi sjell shumë fotografi të rralla që kanë vlerë të madhe. Turistët mund të njoftohen më shumë me bukuritë e shumta shqiptare, por edhe vendësit, sepse shumë vende të bukura në Shqipëri nuk njihen as nga ata.

Ai ka shumë ndjekës të huaj në rrjetet sociale. “Me anë të fotografive të mia ndiqem në rrjetet sociale nga mijëra njerëz, brenda dhe jashtë Shqipërisë, nga shqiptarë dhe të huaj. Në Facebook kam 70 mijë ndjekës. Mundohem të jem aktiv dhe t’i sjell në dritë bukuritë shqiptare”, nënvizon Fation Plaku.

Ja cilat janë vendet që duhet vizituar “patjetër”

Duke qenë tashmë një zbulues i pasionuar, eksplorues dhe frekuentues i pikave, shpesh ende të pashkelura të natyrës shqiptare, Fationi është personi i duhur për të na sugjeruar vendet që “patjetër” duhet vizituar. E lista e këtyre atraksioneve turistike është me të vërtetë shumë e gjatë. “Nga vendet që vizitoj shpesh dhe që ua preferoj të tjerëve janë: Thethi, Valbona, Lepusha, Vërmoshi, Gadishulli i Karaburunit, Gjiri i Dafinës, Gjiri i Ariut, Gjiri i Gramës, Gjiri i Shën Andreut, Kisha e Marimorit, Qyteti i Orikut, Ishulli i Sazanit dhe Zvërnecit, Mali i Qikës në Llogara, Guri në Qiell ose Sofra e Zotit, Kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Plazhi i Lukovës, Krorzës dhe Kakomesë. Më pas Butrinti, Ishulli i Tongos dhe Stillos, kalaja e Gjirokastrës, lugina e Drinos, mali i Nëmërçkës dhe Përmetit, ujërat termale të Bënjës, lumi i Vjosës dhe kanioni i Langaricës, ujërat termale të Leskovikut dhe Dibrës, bukuritë e Voskopojës dhe Dardhës, liqeni i Prespës së Madhe me Ishullin e Gjarpërinjve, liqenet e Lurës në Dibër me kanionin e Setës, kanioni i Osumit (për rafting) dhe kanioni i Nivicës”, numëron Fation Plaku për albinfo.ch. bukuritë shqiptare.

Cili është Fationi alpinist

Ai gjithashtu është ngjitur në malin Everest, që ishte përvojë e jashtëzakonshme për të.

“Të ngjitesh në këtë maje, do të thotë të realizosh një ëndërr që e dëshiron çdo alpinist. Kemi qenë një grup prej gjashtë vetash (Dajti alpino-turistik). Ngjitja ishte më shumë se një ëndërr. I kishim premtuar vetes se do të ngitnim flamurin shqiptar për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kjo përvojë është unike dhe nuk mund ta krahasosh me asgjë në botë.

Momentet e ngjitjes dhe zbritjes nga maja, adrenalina që kam përjetuar në “çatinë” e botës, është vështirë t’i përshkruash me fjalë. Por, ja një i tillë, kur i thashë një anëtari të ekipit që të bënim një foto në maje me flamurin, ai as më dëgjoi dhe as veproi, sepse e kishte humbur fare dhe jetonte më të pabesueshmen e atij çasti, ne kishim realizuar synimin, ëndrrën tonë. E ndjej veten të veçantë dhe të priveligjuar që isha atje”, është shprehur Plaku për albinfo.ch.

Fotot: Fation Plaku


 Të tjera nga Shqipëria përtej bregdetit