Shqipëria

Bushati: Kriza e emigrimit kërkon përgjigje evropiane

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një intervistë për BBC-në ka folur për vendimin e Qeverisë shqiptare për të marrë emigrantët nga Eritreja, të cilët ndodhen në brigjet italiane.

Bushati sqaroi se “Shqipëria për asnjë moment nuk e sheh krizën e refugjatëve si mënyrë për të përparuar me procesin e integrimit në BE”. Ai ka thënë se procesi bazohet në rregulla dhe parime të tjera, përcjell albinfo.ch.

“Është një vendim që e kemi bërë tashmë publik, pas diskutimeve të gjata me autoritetet italiane, të cilat na kërkuan mbështetje në këto përpjekje. Gjithashtu, përputhet me qëndrimin e Shqipërisë katër vjet më parë, kur nisi kriza e refugjatëve, sipas të cilit të gjitha vendet e Evropës, pavarësisht nëse janë pjesë e BE-së apo jo, duhet të kontribuojnë disi në tejkalimin e krizës, sepse kriza e emigrimit është një krizë evropiane, ndaj kërkon përgjigje evropiane”, ka thënë ai.