Futboll

Challandes nuk është penduar që ka zgjedhur Kosovën

Bernard Challandes, trajneri i përfaqësueses së Kosovës, doli paraditen e kësaj të hëne në konferencë për shtyp, ku foli për mundësitë që ka Kosova për të shkuar në Euro 2020, ndërsa theksoi se ka bërë zgjedhjen e duhur që ka zgjedhur Kosovën.

“Unë dua të fitoj, kjo është e qartë. 1:0 ose 2:1 për ne do të ishte e kënaqshme. Nuk do të kishte shumë rëndësi. Ne kishim rezultate mjaft të mira dhe të gjithë janë të lumtur. Ndonjëherë nuk ke rezultate të mira, të gjithë janë të pakënaqur, sidomos me trajnerin. Në Zvicër fillimisht kanë qenë skeptikë, por tani kur e shohin se si jemi duke kaluar, më thonë se e ke bërë zgjedhjen e duhur. Unë jam i lumtur që jam këtu. Tash ata vijnë t’i shohin ndeshjet. Ju pëlqen ushqimi dhe atmosfera në Kosovë. Nuk e ka pasur imazhin aq të mirë Kosova, bashkëshortja dhe miqtë e kanë kuptuar se përse e kam marrë punën te Kosova”.

Challandes foli edhe për rivalin e radhës, Çekinë, si dhe për gjendjen e sulmuesit Vedat Muriqi.

“Mentaliteti i lojtarëve tanë është i lartë, por kjo nuk është e mjaftueshme. Nëse dëshiron të shkosh në Evropian, nuk mjafton shpirti. I rëndësishëm është mentaliteti teknik, kualiteti, taktika, sulmi, mbrojtja, mesfusha. Ne duhet të luajmë futboll. Të luajmë mirë së bashku. Unë nuk flas për dobësitë e kundërshtarit. I kam parë të gjitha ndeshjet e tyre. E kam parë edhe dy herë ndeshjen e parë që e kishim ndaj çekëve. Ne kemi fituar, të gjithë ishin të lumtur, por nuk e kanë analizuar lojën. Dy muaj më vonë e kam parë lojën dhe nuk mendoj se duhet të luajmë më mirë, jo si në atë ndeshje. Gjithçka nis me mentalitetin, është baza. Vedat Muriqi ka luajtur në Rizespor, por e tregoi nivelin e tij edhe në Fenerbahce. Ka pasur ndikim pozitiv transferimi i tij te Feneri. Jemi të kënaqur me zhvillimin e tij. Ai është paksa i lënduar, po flasim me të. Ka dhimbje, por është më mirë. Shpresojmë që deri të dielën të jetë OK”.