Futboll

Challandes ftoi tre futbollistë të Superligës në miqësoren ndaj Suedisë

Ftesa e tre futbollistëve në ekipin e Kosovës ka gëzuar klubet kosovare

Së fundi Challandes, në publikimin e listës së lojtarëve që do të luajnë kundër Suedisë, shihen për herë të parë 3 futbollistët nga Superliga e Kosovës.

Mbrëmë, Challandes publikoi listën e lojtarëve të ftuar për miqësoren që do të zhvillohet më 12 janar në Doha të Katarit. 3 lojtarë të ftuar ishin nga klubet e Superligës së Kosovës.

Ajo që duhet theksuar është se Challandes ftoi tre futbollistë të liderit të Superligës, Ballkanit. Arbër Hoxha, Jetmir Topalli e Blendi Baftiu janë ftuar për herë të parë nga ekipi A i Kosovës.

“Super 3-shja e klubit tonë për herë të parë ftohen nga Kombëtarja A, shumë suksese me fanellen e Kosovës Luana, na bëni krenarë”, ka shkruar me këtë rast Ballkani në një postim në Facebook.

Fotografia e FC Ballkani

Nga ana tjetër, trajneri i njohur kosovar, Gani Sejdiu, në një prononcim për KP, ka thënë se ftesa për futbollistët e Superligës është rast i mirë për ta që të tregojnë veten.

“Kjo është një listë vetëm për miqësore dhe e cila pastaj nuk merret parasysh për kualifikuese, por është një rast i mirë për lojtarët e Superligës, që të tregojnë vlerat e tyre dhe njëkohësisht një test i një niveli më të lart. Mua personalisht më ka pëlqyer ky vendim që në këtë miqësore të ftohen lojtarët e Superligës, sepse kjo e promovon ligën dhe i motivon lojtarët për më shumë profesionalizëm nëpër klube sepse edhe prej Superligës ju vjen rasti në kombëtare”, ka deklaruar ai, përcjell albinfo.ch.