Lajme

Çka përfiton Zvicra me lejimin e punëtorëve nga vendet e treta

Shumica e anëtarëve të familjes që vijnë në Zvicër si pjesë e bashkimit të familjes janë të pavarur ekonomikisht dhe fitojnë pagë

Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO) beson se lëvizja e lirë e njerëzve, e cila u lejon qytetarëve të vendeve të BE-së dhe EFTA të punojnë në Zvicër, ka një efekt pozitiv në ekonominë e vendit.

Në raportin e tij të ri të publikuar të hënën, i cili bazohet në shifrat e vitit 2019, SECO paraqiti ndikimin pozitiv që punëtorët nga BE dhe vendet e EFTA kanë pasur në tregun e punës të Zvicrës, shkruan The Local, përcjell albinfo.ch.

Këto janë disa nga gjetjet kryesore të raportit:

Fuqia punëtore e migrantëve plotëson kërkesat e ekonomisë zvicerane

“Emigracioni nga BE/EFTA në Zvicër është i përshtatur fuqimisht për nevojat e ekonomisë, siç theksohet nga niveli i lartë i pjesëmarrjes në tregun e punës”, tha SECO.

Shkalla e aktivitetit të shtetasve të BE-së ishte 87.7 përqind më 2019, krahasuar me 84.6 përqind për shtetasit zviceranë. “Prandaj, imigracioni kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e pjesëmarrjes së të huajve në jetën e punës në Zvicër”, theksoi raporti, përcjell tutje albinfo.ch.

Por ndërsa zviceranët vendas punësohen më shpesh për punë që kërkojnë kualifikime më të larta profesionale, emigrantët janë të angazhuar për poste që kërkojnë një nivel më të ulët të kualifikimeve.

Punë e dobishme

Në vitin 2019, 89 përqind e burrave dhe 80 përqind e grave të moshës 15 deri 64 vjeç që emigruan në Zvicër pas Qershorit 2002 – vit kur lëvizja e lirë e njerëzve hyri në fuqi – u punësuan me fitime.

Raporti thoshte që më shumë gra emigrante punojnë me orar të plotë dhe më të gjatë se sa homologët e tyre të lindur në Zvicër, përcjell tutje albinfo.ch.

Kontribut pozitiv në fleksibilitetin e tregut të punës

Në krahasim me punonjësit vendas të Zvicrës, më shumë të huaj kanë punë të përkohshme dhe punojnë më shpesh gjatë natës ose në mbrëmje. “Ata ofrojnë një grup fleksibël pune për kompanitë që i nënshtrohen luhatjeve sezonale”, tha SECO.

Papunësia

Shkalla e papunësisë për njerëzit nga BE/EFTA mbetet mbi mesataren kombëtare. Kjo mund të shpjegohet me përqendrimin e punëtorëve të BE/EFTA në sektorë relativisht më të prekur nga papunësia, shpjegoi SECO.

Pagat

“Rritja e pagave në Zvicër mbetet gjerësisht e balancuar në lidhje me nivelet e ndryshme të arsimit”, thuhet në raport.

“Megjithatë, paga mesatare e Zvicrës mbetet dukshëm më e lartë se paga mesatare e të gjithë punëtorëve”, shtoi SECO.

Bashkimi familjar

Ndërsa qytetarët e vendeve të BE / EFTA vijnë në Zvicër për punësim, ribashkimi i familjes është arsyeja kryesore për imigrimin nga vendet e treta.

“Shumica e anëtarëve të familjes që vijnë në Zvicër si pjesë e bashkimit të familjes janë të pavarur ekonomikisht dhe fitojnë pagë”.

Sipas raportit, “integrimi në tregun e punës të shtetasve të BE/EFTA që kanë emigruar brenda kornizës së bashkimit familjar është më i shënuar se ai i shtetasve të vendeve të treta, si në aspektin e integrimit profesional ashtu edhe të të ardhurave”.

Ndihma sociale

Integrimi profesional dhe përdorimi i ndihmës sociale janë të lidhura ngushtë, u gjet në raport.

Vetëm 3.4 përqind e imigrantëve nga BE/EFTA që mbërritën në Zvicër në vitin 2009 u mbështetën në ndihmë sociale brenda tetë viteve nga mbërritja e tyre, përcjell tutje albinfo.ch.

Ekziston më pak rrezik që të drejtoheni në ndihmë sociale me nivelin më të lartë të arsimimit. Njerëzit nga vendet e BE/EFTA që kanë emigruar si pjesë e bashkimit të familjes dhe që varen nga ndihma sociale, “shpesh arrijnë të çlirohen shpejt dhe të rifitojnë pavarësinë ekonomike”, vëren SECO.

Rreth 2,125,410 shtetas të huaj ishin rezidentë në Zvicër në fund të marsit 2020, përfshirë 1,452 421 nga BE, si dhe nga Norvegjia, Islanda dhe Mbretëria e Bashkuar.

Numri më i lartë i të huajve vijnë nga Italia (15.3 përqind), Gjermania (14.6 përqind), Portugalia (12 përqind), Franca (6.7 përqind), Kosova (5,4 përqind) dhe Spanja (4 përqind).