Integrimi

“Dardania” ëmbëlson zviceranët me specialitetet dhe muzikën shqiptare

Shoqëria Kulturore dhe Artistike „Dardania“ ka përfaqësuar kulturën shqiptare dhe ushqimet tradicionale shqiptare në "Food&Art Festival" të mbajtur në Volketswil

 

Fundjavën që lamë pas, në qytetin e Volketswillit ishte festë e madhe, ku ishin tubuar banorët e rrethinës, përfshirë shumë nacionalitete që jetojnë në kantonin e Cyrihut. Për ta bërë sa më madhështore këtë festival të ushqimeve dhe artit skenik, gjegjësisht këngës, valles dhe veglave muzikore (Food&Art Festival) organizatorët kishin ftuar shumë komunitete në këtë festival që organizohet nga qyteza e Volketswillit.

Kësaj radhe ishte edhe Shoqëria Kulturore dhe Artistike „Dardania“ tashmë me një përvojë të gjatë në veprimtarinëe saj, e cila kishte marrë ftesën për pjesëmarrje në këtë festival. Ajo me këtë rast ka përfaqësuar kulturën shqiptare dhe ushqimet tradicionale shqiptare.

Tenda e Shoqërisë Kulturore dhe Artistike  „Dardania“ dallohej nga larg me pamjen e saj dhe dekorimin e bukur, e stolisur me flamurin kombëtar dhe atë të shoqërisë. Aty ishin pastaj edhe dy veshje kombëtare që simbolizonin traditën tonë, mandej në tavolinën e gjatë ishin radhitur ushqimet tona më tradicionale, si; flijat, pitet e ndryshme, djathë sharri, pak më tutje piqej edhe mishi në skarë,  fasulja (grosha) krelana e misrit, dhe ëmbëlsira të ndryshme

Prej pijeve tradicionale kishin radhitur kafen, çajin, mandej birrën e Pejës, verë të Kosovë, rakinë „Skenderbeu“ nga Shqipëria, si dhe pije tjera freskuese të propozuara nga organizatorët e qytetit.

Vizitorët shprehnin  interesim të veçantë për ushqimet tona tradicionale duke marrë edhe informata mbi recetat dhe llojin e ushqimeve tona dhe duke i provuar ato.

Ekipi i shërbyesve dhe ishte i gatshëm për çdo sqarim.

Ndërsa përjetimin e kompletoi dhe kurorëzoi ngjitja në skenë e anëtarëve të SHKA “Dardania”

Së pari në skenë u prezantua një valle burimore e luajtur me surla e tupana dhe e shoqëruar nga valltarët. Në prezantimin e bërë nga moderatorje dhe koreografja Albulena Kqiku, u përmblodh e gjithë puna e shoqërisë, për të ja lënë radhën më pas programit të paraparë prej 30 minutave.

Orkestra nën udhëheqjen e Hamit Shllovës ishte ajo që hapi programin me një valle instrumentale, dhe një këngë arshikësh; „Moj e mira te bunari“ që u prit shumë mirë.

Interesim  tejet të madh zgjuan vallet autoktone, si vallja „Dardane“, mandej vallja e „Tiranës“, vallja e fëmijëve „Mor buburrec“, si dhe një „Mozaik vallesh“ luajtur nga fëmijët e shoqërisë, dhe krejt në fund prapë me valle të lira me surla e tupana, me çka edhe publiku ju bashkua valleve të trevave tona.

Shumë zviceranë të pranishëm vlerësuan lartë paraqitjet e “Dardanisë”. Në mesin e tyre ishte edhe Susana Schmidt, e cila gjironte aktivitetin. .

Nënkryetari i shoqërisë  Mehmet Sermaxhajn, na njofton se po ashtu se javën tjetër i pret një tjetër festival në Bazel, së bashku me komunitetin boshnjak, “ku do të prezantojm po ashtu kulturën dhe traditën tonë kombëtare përmes valles dhe këngës sonë të bukur, së bashku me veshjet tona të veçanta“.