Lajme

Deputetët e Kosovës kërkojnë heqjen e masave nga BE-ja

Në takim u diskutua për progresin e Kosovës në reformat e integrimit në BE si dhe bashkëpunimin rajonal

Në punimet e takimit të 12-të të Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë është kërkuar tërheqja e menjëhershme e masave ndaj Kosovës nga BE-ja, përgjigjen në aplikimin e Kosovës për shtet kandidat në BE si dhe anëtarësimin e Kosovës në BE, njofton Kuvendi i Kosovës.

Po ashtu është thënë se mosvendosja e masave ndaj Serbisë ka inkurajuar atë që pas sulmit të Banjskës, të organizojë sulmin e dytë terrorist në infrastrukturën kritike të Kosovës. Prandaj, janë kërkuar veprime të drejtpërdrejta ndaj shtetit agresor sapo të finalizohen hetimet e sulmit të fundit.

Tutje thuhet se në pjesën e dytë të këtij takimi u diskutua për progresin e Kosovës në reformat e integrimit në BE si dhe bashkëpunimin rajonal.

Ndërsa pjesa e tretë dhe e katërt e këtij takimi si fokus pati temën e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe temën Zhvilimin ekonomik, tranzicionin e energjisë dhe tema e fundit në agjendë ishte Mediat, Shoqëria Civile dhe fuqizimi i rinisë,

Sipas njoftimit takimi i dymbëdhjetë i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim BE- Kosovë përfundoi me miratimin e Deklaratës së Përbashkët, e cila do të publikohet si Konkluzë zyrtare e këtij komisioni.

Punimet e takimit të 12-të të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, u zhvilluan më 9 dhjetor 2024, në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel.