Lajme

Dhembja e shprehur përmes penelit

Përshtypje nga hapja e ekspozitës Së Gani Bytyçit në Spreitenbach, Aargau

Ditë më parë (më 12 nëntor 2021), në prani të autoriteteve komunale të qytetit Spreitenbach AG, të personaliteteve nga komuniteti artistik si dhe të artdashësve të shumtë, në Galerinë e Komunës, u hap ekspozita e radhës, në të cilën po prezantoheshin punimet e dy piktorëve.

Ekspozitën e shpalli të hapur, kuratori i saj, artisti Salvatore Mainardi, i cili u shpreh se ishte “i lumtur që po prezantonte veprën e dy artistëve të veçantë”.

Salvatore Mainardi, kurator dhe artisti, Gani Bytyçi

“Aldo Lotti dhe Gani Bytyçi, janë një kombim artistik shumë i mirë”, konstatoi ai në fillim të fjalës së tij. Ndërkaq gazeta javore, që informonte për këtë ekspozitë, pikturën e Gani Bytyçit e vlerësonte si “shprehje e dhembjes npërmjet penelit”. Në vazhdim, gazeta konstatonte se pas prezantimeve të shumta në Zvicër, në Francë e gjetiu, Bytyçi në hpreitenbach ekspozonte për herë të parë.

Në fjalën e tij, Bytyçi së pari falenderoi organizatorin e ekspozitës dhe miqtë e publikun e shumtë të pranishëm dhe më pas konstatoi se ne shkojmë në hapësirat ku arti shfaqet për kënaqësi shpirtërore, estetike.

“Publik i nderuar, miq të dashur, ju falënderoj nga zemra, për praninë tuaj në numër kaq të madh në këtë ekspozitë. Falënderoj përgjegjësit për kulturë të Komunës së Spreitenbachut për ftesën që më kanë bërë. E falenderoj përzemërsisht kuratorin e ekspozitës, artistin Salvatore Mainardi”, u shpreh në fillim Bytyçi, për të konstatuar në vazhdim se: “Arti është përditshmëria jonë e kthyer në figurë e në simbol”.

“Prezantimi i  veprës sime përkrah pikturës së artistit, Aldo Lotti,  më bën nder të veçantë”, ka shtuar ai. Bytyçi ka thënë për albinfo.ch se prezantimi i dy piktorëve në këtë rast përplotëson njëri tjetrin, për faktin se punimet e piktorit Lotti janë realiste, figurative ndërsa pikturat e tij, më shumë simbolike.

Ndërsa zoti Mainardi u shpreh me keqardhje që artisti Lotti nuk është i pranishëm këtu, ngase ka 21 vite që ka ikur në amshim. “Unë do të thosha se Artisti Lotti, sonte është më i pranishëm se kurrë. Ai, këtu para nesh, sonte është i pranishëm shpirtërisht, nëpërmjet të veprës së tij artistike”.

Nga ana e tij, z. Bytyçi duke falënderuar publikun që kishte ardhur në numër të madh, veç tjerash tha: “Ju sonte ndodheni këtu për të përjetuar një çast kënaqësie artistike, estetike. Dhe këtë kënaqësi na e jep magjia e artit. Arti është reflektim ndaj jetës sonë. Shumë shpesh ai është reflektim ndaj asaj pjesës më dramatike të jetës. Arti është përditshmëria jonë, e kthyer në komunikim artistik. E kthyer në figurë e në simbol. Ai është historia e njerëzimit. Është e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja e qytetrimit. Arti është vetëdija dhe nënvetëdija jonë. Ai është shpirti i njerëzimit. Arti është amshimi ynë. Ai është testamenti, që ne e lëmë pas, u shpreh në fjalën e tij artisti Gani Bytyçi.

Për publikun artdashës ekspozita do të jetë e hapur deri më 28 janar 2022.