Kosova
Diaspora, partner strategjik apo motor zhvillimi? Premtimet e partive për mërgatën
Diaspora zë vend të rëndësishëm në programet zgjedhore të partive politike që garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit, me premtime që fokusohen në investime, zhvillim ekonomik, teknologji dhe lehtësimin e shërbimeve për mërgimtarët.
Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e konsiderojnë mërgatën si një faktor të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, megjithëse qasjet dhe masat e propozuara dallojnë nga njëra-tjetra në programet politike të cilat i kanë publikuar. Albinfo.ch ju sjell në vijim të pêrmbledhura ofertat politike për diasporën të cilat janë përfshirê në kuadër të planprogrameve të publikuara.
Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur paketë të gjerë të masave për diasporën. Në programin e saj parashihet krijimi i “Dritares për Investime të Diasporës”, përmes së cilës shteti do të garantojë kredi investuese deri në 100 milionë euro për mërgimtarët që investojnë në Kosovë. Gjithashtu, LVV premton integrimin e Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), me synim uljen e kostove të transferimit të parave nga diaspora. Programi përfshin edhe digjitalizimin e plotë të shërbimeve konsullore, mbështetjen për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e mërgatës, kthimin automatik të shtetësisë për ata që e kanë humbur atë si pasojë e kufizimeve ligjore dhe përfshirjen e profesionistëve të diasporës në projekte zhvillimore, teknologjike dhe kërkimore.
Partia Demokratike e Kosovës e trajton diasporën në një kapitull të veçantë të programit të saj, duke e cilësuar atë si aset strategjik dhe fuqi diplomatike e ekonomike të Kosovës. PDK premton krijimin e mekanizmave institucionalë për përfshirjen aktive të mërgatës në diplomaci, ekonomi dhe zhvillim, si dhe trajtimin e saj si partner strategjik të shtetit. Një nga masat konkrete lidhet me investimet në teknologji dhe inovacion, ku përmes Fondit Kombëtar të Bashkë-Investimit parashihet që shteti të bashkëinvestojë në startup-et kosovare me modelin “matching 1:1”, duke mbështetur çdo investim të diasporës me kapital shtesë nga fondet publike.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka një kapitull të veçantë për diasporën, por përfshin disa masa që synojnë forcimin e lidhjeve me mërgatën. Programi i LDK-së parasheh krijimin e aviokompanisë kombëtare me linja direkte drejt qyteteve ku jetojnë komunitete të mëdha të diasporës, me synim uljen e kostove të udhëtimit. Po ashtu, premtohet krijimi i Rrjetit të Diasporës Teknologjike, përmes të cilit profesionistët kosovarë jashtë vendit do të angazhohen si mentorë, investitorë dhe partnerë të startup-eve në Kosovë. LDK synon gjithashtu të shfrytëzojë rrjetin global të ekspertëve kosovarë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.
Pavarësisht dallimeve në qasje, të tri partitë e shohin diasporën si një potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Kosovës. Megjithatë, LVV fokusohet më shumë në lehtësimin e shërbimeve dhe nxitjen e investimeve përmes garancive shtetërore, PDK në përfshirjen institucionale dhe bashkë-investimin në teknologji, ndërsa LDK në lidhjen e mërgatës me sektorin e inovacionit dhe lehtësimin e udhëtimeve drejt Kosovës/albinfo.ch
E-Diaspora
-
Forum leximi dhe diskutimi për plakjen në Zvicër dhe Shqipëri Një projekt kërkimor pjesëmarrës i realizuar nga Berner Fachhochschule (BFH) po sjell në qendër të vëmendjes... -
Itali
Lea Ypi promovon në Trieste librat e saj të përkthyer në italisht -
Sopranoja Alisa shkëlqen në festivalin ndërkombëtar të operës në Uzbekistan -
Ambasada e Kosovës në Francë apel mërgatës: Zarfet me vota mos i dërgoni në ambasadë -
Hamburg
Hamburg nën tingujt e “Jehonës së Origjinës” nga Flaka Goranci
Jeta në Zvicër
-
Kosova sjell magjinë e muzikës në Bernë, koncert i veçantë për Ditën e Çlirimit Me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë do... -
Studimi në Zvicër: Koha e fillimit të mësimit të frëngjishtes nuk është faktori vendimtar në përvetësimin e gjuhës -
A është e vërtetë që emigrantët ua marrin vendet e punës zviceranëve? -
Valë anulimesh në hotelet e Gjenevës ndërsa afrohet samiti i G7 në Evian -
PBB-ja e Zvicrës në rritje













