Lajme

Dobitë dhe vlerat ushqyese të manave

Mani më shumë njihet për frutën e saj me shije të veçantë, dhe që gjendet tani kudo nëpër tregje. Por, në mjekësinë alternative manit i përdoren edhe gjethet, lëkura e pemës dhe sigurisht fruta.

Përfitimet janë të shumta, duke nisur nga kontrolli i diabetit e deri tek ai i kolesterolit. Këto veçori mani i ka falë një substance që ka efektet e antioksidantëve, antokianina. Kjo substancë gjendet tek të gjitha frutat e pyllit, si boronicat, mjedrat dhe thanat.

Përdorimet e manit të bardhë

Në mjekësinë bimore mani i bardhë përdoret për të trajtuar këto probleme apo shqetësime shëndetësore: ankthi, artriti, kapsllëku, kolla, tensioni i lartë, kolesteroli i lartë, diabeti dhe sistemi imunitar.

Diabeti

Studime të shumta vëzhguan se konsumimi i manit të bardhë në formën e fruts arrinte të ulte nivelin e sheqerit në gjak. Pasi përmes enzimave që gjenden tek kjo frutë, organizmi nuk përthith niseshten që gjendet apo përdoret për përgatitjen e disa ushqimeve.

Kolesteroli

Ndërkohë përsa i përket kolesterolit, nëse konsumohet mani i bardhë për një periudhë nga 4-8 javë, do të vihet re një ulje e kolesterolit dhe e triglicerideve në gjak.

Efektet anësore

Edhe pse kjo frutë është bimore, efektet e tejkalimit të dozës së rekomanduar janë të shumta. Duke nisur nga diareja, marramendja, kapsllëku apo dhe fryrja e stomakut dhe e zorrëve. Prandaj këshillohet që kur të nisni t’i konsumoni të kini kujdes mënyrës si do të reagojë trupi juaj. Për personat të cilët marrin medikamente për trajtimin apo kurimin e diabetit, është e këshillueshme që të mos konsumohet kjo frutë. Si dhe gjithmonë këshillohuni me mjekun tuaj përpara se të merrni çdo vendim. Kush mund ta zëvendësojë manin e bardhë në dietën tuaj. Të njëjtën substancë që përmendëm më lart e gjeni edhe te qershitë, manaferrat, manat goxhi dhe thanat./AgroWeb