Gruaja

“Dy lulet e mia”, një libër përkushtim dashurisë dhe mallit

Shqipe Isufi: “Libri `Dy lulet e mia` përmban në vete plot dashuri, mall, vuajtje e lumturi. Ai mban titullin e një poezie që ua dedikova fëmijëve të mi, Lorikut dhe Olsës”

Dashurinë për prindërit, fëmijët, burrin e gruan, na ndodh t’i shohim që shprehen në mënyra nga më të ndryshmet dhe secila ka hijeshinë e vet. Këtë herë, do të lexojmë e kuptojmë se si shkrimtarja me prejardhje nga Gjilani i Kosovës, që jeton në Cyrih të Zvicrës, Shqipe Isufi, ka shprehur dashurinë e saj për familjen e mallin për shtëpinë e atdheun, në librin e saj të sapo publikuar “Dy lulet e mia”.

Albinfo.ch: Kur keni filluar të shkruani dhe a e kujtoni cili është shkrimi i juaj i parë?

Shqipe Isuf: Poezinë, gjegjësisht vjershat i kam dashur si fëmijë. Kur unë isha 5, 6 apo 7 vjeçare së bashku me motrat dhe fëmijët tjerë recitonim vjersha e poezi për kombin shqiptar, për Kosovën, Shqipërinë, gjuhën shqipe, flamurin kombëtar etj. Dikur pasi dhe fillova klasën e parë së bashku me motrën Violeta konkurruam për përzgjedhjen e poezisë së muajit në revistën e atëhershme “Pionieri” në shkollën “Selami Hallaçi” në Gjilan. Konkurova me poezinë “Hënë e bukur je”… Dhe pastaj me poezi nuk jam angazhuar më.

Vetëm më vonë, para 6 viteve fillova të shkruaj gjermanisht e pastaj shqip. Poezitë e këtij vëllimi janë rezultat i një pune të bërë brenda rreth 5 vitesh.

 Albinfo.ch: Nga ju erdhi ideja apo motivi për botim të një libri, në këtë rast “Dy lulet e mia”?

Shqipe Isufi: Unë synim kam pasur gjithnjë ngritjen profesionale dhe jo vetëm. Librin dëshiroja        ta botoja dhe me të ta plotësoja së pari veten time dhe pastaj që ai të jetë një motivim për rininë dhe të gjitha vajzat e nënat shqiptare, në vend e mërgim. Femra shqiptare është e zgjuar dhe punëtore. E pse të mos shpalosin aftësitë e tyre. T’i tregojmë botës që edhe ne dimë, mundemi dhe ia dalim.

 Albinfo.ch: Na trego më shumë rreth librit, çka është e veçanta e tij dhe çfarë tregon titulli i librit?

Shqipe Isufi: Libri “Dy lulet e mia” përmban në vete plot dashuri, mall, vuajtje e lumturi.

Libri ka titullin e një poezie, të cilën ua dedikova fëmijëve të mi, Lorikut dhe Olsës, të cilën e shkrova në një mëngjes duke u përgatitur për punë. Kisha sytë e skuqur nga pagjumësia si pasojë e punës së tepërt dhe dëshiroja të kaloja më shumë kohë me fëmijët, të cilën dëshirë nuk mundesha të realizoja dhe kështu më rrodhën fjalët nga mendja siç rrjedh streha e shtëpisë pas shiut të madh.

  

Albinfo.ch: Në sa cikle e keni ndarë librin, si i keni titulluar, dhe çfarë përmbajnë ata?

Shqipe Isufi: Libri është i ndarë në katër cikle. Cikli i parë “Lulekuqet si yll” përmban poezitë e kushtuara në radhë të parë prindërve të mi, fëmijëve të mi, motrave, vëllait, vajzës, mbesës, me një fjalë dashurisë ndaj familjes.

Cikli i dytë “Zogu shtegtar” i kushtohet kryesisht jetës sime në raport me dashurinë ndaj shtëpisë ku isha rritur, ndaj bashkëshortit, ndaj fëmijëve të mi etj.

Në ciklin “Zogu shtegtar” çdo lexues përjeton hallin që ka një mergimtarë dhe dashurinë për atdheun.

Cikli i tretë “Pafundësi malli” përmban në vete dashurinë ndaj atdheut, gjuhës shqipe, jetës dhe kohës në përgjithësi dhe i katërti dhe i fundit mban titullin “Dëshiroj”. Përmbajtja e tij le të mbetet të zbulohet nga lexuesi.

Albinfo.ch: Kujt ja keni dedikuar librin?

Shqipe Isufi: Libri u dedikohet prindërve të mi në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për mbështetjen dhënë mua, motrave dhe vëllait. Për atë edhe gjinden që të dy krahas poezive për ta dhe fotografitë e tyre. Ata nuk patën fatin të përjetojnë përurimin e librit tim, por e kanë ditur për këtë pasion e qëllim timin dhe kanë qenë krenarë sa ishin gjallë.

Unë librin, diku 200 copë, e kam dhuruar dhe nuk e kam shitur. E kam bërë si akt human dhe jo fitimprurës.

Albinfo.ch: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen, a mund të presim edhe libra të tjerë nga ju së shpejti?

Shqipe Isufi: Unë shkruaj çdoherë aty ku mundem dhe kam rastin. Kjo do të thotë që librat e tjerë pasojnë. Unë shkruaj edhe në gjuhën gjermane dhe së shpejti do të dalë edhe libri për fëmijë të moshës 5 deri në 7 vjeç, një tregim që i dedikohet një lepurushi të humbur rrugë. Libri quhet: “Der verlorene Hase, Lala”.

Unë fillimin e ceka më lartë, por mbarimin nuk e di. E dua punën dhe jam shumë ambicioze, kështu që le të jetë surprizë për lexuesit.

Edhe diçka harrova të cekë, jashtë poezive shkruaj edhe mbi mendimin pozitiv dhe motivimin për një jetë të lumtur. Këto shkrime i kam botuar në revistën “Albania Shqipëri Natyrale”.

Me një fjalë, siç thoshte dhe Naim Frashëri: “Punë, punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë”.

Kush është Shqipe Isufi

Jam lindur në vitin 1982, në Gjilan. Të gjithë shkollimin e kam ndjekur në Gjilan dmth. nga fillorja deri te fakulteti i edukimit. Në vitin 2004 u martova me bashkëshortin tim Halit Kadriu po ashtu nga Gjilani dhe kalova në Gjermani. Aty ndoqa mësimet për gjuhë gjermane, u bëra dy herë nënë, punova në marketet Aldi e Lidl dhe pas shtatë viteve jetë në Gjermani kaluam në Zvicër ku dhe punoj e jetoj tani. Edhe në Zvicër punova në markete por shkollimin për liçensimin e diplomës nuk e kisha ndalur asnjëherë. Dhe këtë ëndërr krahas shumë peripecive të shumta e jetësova me shumë mund. Sigurisht, falë vullnetit tim dhe përkrahjes  së vazhdueshme të bashkëshortit tim.

Unë krahas mësimdhënies në shkollën fillore Leutschenbach në Schwamendingen në Cyrih, punoj edhe si përkthyese, zëdhënëse (Schulbotschafterin) për sistemin e arsimit në gjuhë shqipe në komunën e Cyrihut, projekt i cili është lancuar enkas për integrim të familjeve dhe fëmijëve të tyre në Sistemin e Arsimit në Zvicër, i cili ofrohet në 13 gjuhë të huaja. Gjithashtu në muajin qershor kam marrë mandatin e dytë si koordinatore e komunitetit shqiptar (Kulturvermittlerin für Albanisch) dhe që nga viti i kaluar studioj shkallën e Masterit “Schulische Heilpädagogin” në shkollën e lartë HfH Heilpädagogische Fachhochdchule në Cyrih. Në këtë shkollë ndjek studimet pasuniversitare, drejtimi Schulische Heilpädagogin, mësuese speciale që punon me fëmijë me nevoja të veçanta apo edhe me ata tejet inteligjentë.

Nuk kam shumë kohë të lirë, dhe atë që e kam ia kushtoj fëmijëve dhe bashkëshortit, me të cilët eksplorojmë bukuritë e shumta që ka Zvicra.

Agnesa Qorri