Kosova

Dyshime për manipulim të votave, intervistohen mbi 100 komisionerë në Kosovë

Dyshime për manipulim votash, Policia konfirmon se po kryhen bastisje në Prizren

Mbi 100 komisionerë të angazhuar në numërimin e votave në Prizren janë intervistuar sot nga hetuesit e Policisë së Kosovës në këtë komunë, përcjell albinfo.ch. 

“Për detajet e këtij operacioni do të njoftoheni në përfundim të tij” ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Sipas informacioneve të deritanishme ka edhe të arrestuar, ndërkohë mësohet se ka edhe të ndaluar.

Dyshimet kanë të bëjnë më keqpërdorimin e votave në Prizren.

Në këtë komunë pas rinumërimit është evidentuar se janë manipuluar rreth 30 mijë vota.

Rreth 140 komisionerë që ishin të angazhuar gjatë numërimit të votave në Prizren. 

Sipas ligjeve në fuqi ata rrezikojnë dënimin me burgim nga një deri në pesë vjet. 

Rinumërimi ka gjetur se 45 mijë e 709 vota u janë shtuar ose hequr kandidatëve gjatë numërimit fillestar vetëm në këtë komunë.

Koordinatorja Nacionale për Zgjedhje, prokurorja Laura Pula të hënën e kësaj jave ka paralajmëruar intervistimin e të gjithë komisionerëve të qendrave ku nuk përputhen votat. Ajo ka paralajmëruar intervistimin edhe të kandidatëve për deputetë.

Para një jave, KQZ-ja mori vendim që të çojë në rinumërim të gjitha vendvotimet e rregullta të Komunës së Prizrenit, pasi nga një proces verifikues i dy kutive me fletëvotime, ka gjetur dallim prej 714 votash.

Në Qendrën e Numërimit në Prizren ishin 28 tavolina, e në secilën nga to nga 5 komisionerë; një i Vetëvendosjes, një i PDK-së, një i LDK-së, një i AAK-së dhe i pesti nga radhët e komuniteteve.