Integrimi

“E tërë lagjja” erdhi në Zvicër

Rrëfimi për Dimitrin, Teodorin dhe Nikon, se si ikën nga Greqia për në Shqipëri dhe përfunduan në Zvicër. Pas tyre, nga Greqia në Zvicër erdhën edhe 100 shqiptarë të tjerë

Braktisën gjithçka që kishin ndërtuar me vite në Athinë të Greqisë. Lanë prindërit, motrat dhe vëllezërit, tërë fisin, vetëm për një qëllim që të kthehen në vendin e prindërve e tyre, të cilët e kishin bartur në supe emigrimin. Për 5 vite ata përjetuan ëndrrën shqiptare që nuk zgjati edhe shumë. E mira e shkuarjes së tyre në Shqipëria ishte vetëm biznesi i tyre i përbashkët që e krijuan në Korçë.

“Ne ikëm me familjet tona por atje i lamë prindërit, motrat, vëllezërit dhe të gjithë farefisin, në Greqi”, tregon Dimitri. Njëra prej arsyeve që i detyruan që të ikin nga Greqia për 3 shokët: Dimtrin, Teodorin dhe Nikon, ishte kriza financiare.

Në Shqipëri ata kishin krijuar një fabrikë për prodhimin e biskotave, nga e cila ushqehen tash e kësaj dite 80 deri 90 familje. I njëjti biznes vazhdon suksesshëm rrugëtimin edhe pas ikjes së tyre nga Shqipëria për në Zvicër. “Jeta është e bukur në Shqipëri dhe biznesi ecte mirë por ne menduam më larg, për sigurinë dhe perspektivën e fëmijëve tanë dhe menduam sërish të emigrojmë diku në Evropë, por jo të kthehemi në Greqi”.

“Në Shqipëri shumë gjëra shkonin mbrapsht. Kishim mendim tjetër se kishin ndryshuar gjërat, por kur vajtëm atje i përjetuam të gjithat. Nuk kishte as edhe një mundësi të vetme për fëmijët dhe familjen tona”.

Mes Kanadasë, SHBA-së e Gjermanisë…, zgjodhën Zvicrën

Ideja për ta braktisur edhe Shqipërinë ishte e përbashkët sërish. Menduan disa variante si në Kanada, SHBA, Gjermani dhe në Zvicër. Por vendi alpik kishte joshur Dimitrin, Teodorin dhe Nikon për të marrë sërish rrugën e kurbetit. Pas tyre zingjir erdhën me dhjetëra familje, dy vitet e fundit.

Fillimisht kishin gjetur një banesë pastaj edhe një vend pune. Këtë të fundit nuk e kishin të vështirë ngase secili kishte një zanat të përfunduar.  “Në Zvicër erdhëm gjashtë shokë, pas dy-te muajve kemi sjellë familjet”

“Kërkesa për punëtorë ka në Zvicër. Eksperienca që kishim në Greqi krahasohej me atë të punëtorëve këtu në Zvicër, ngase e njëjta filozofi e punës është edhe këtu”, thotë Teodori.

Çka lanë atje,  e çka gjetën këtu?

Mbase nuk i ka impresionuar aspekti financiar i Zvicrës, por janë shumë gjëra tjera që i kanë joshur shokët shqiptarë nga Shqipëria dhe Greqia, pas të cilëve migruan me dhjetëra familje shqiptare nga Greqia në Zvicër.

“Në Greqi duhet të paguajmë sa herë që vizitojmë mjekun, këtu e paguan sigurimin shëndetësor për çdo muaj. Në Greqi kemi qenë të detyruar të paguajmë kurse mësimi plotësues nëpër shkolla, e këtu jo. Atje pa këto kurse fëmijët dështonin në shkollimin e tyre. Të gjitha ëndrrat që krijuam atje u zbehën me krizën finanaciare”, thotë Teodori duke mohuar se aspekti financuar ka ndikuar për të migruar në Zvicër. Kostoja këtu me Greqinë përafron të ardhurat financiare me Zvicrën.

“Ne atje kishim shtëpitë tona dhe nuk paguanim qiranë e tyre e as sigurimet e domosdoshme shëndetësore. Këtu po fillojmë nga zeroja, por që jemi bashkë të gjithë ngase morëm rrugën bashkë dhe nuk jemi vetëm”

“Jemi shumë familje, jemi shumë shokë dhe nuk e ndjejmë mungesën e njëri tjetrit.”

Lanë afërsinë ballkanase, gjetën sigurinë zvicerane

Këtu nuk e gjetën afërsinë ballkanase që e kishin përjetuar në Greqi dhe Shqipëri. “Këtu saktësia dhe përpikëria është në rend të parë. Këtu respektohen rregullat dhe ligjet. Edhe atje kishte ligje por nuk praktikoheshin. Këtu siguria është më e madhe.”

“Këtu duhet të kujdesemi edhe për fëmijët. T`i marrim nga shkolla dhe t’i dërgojmë anasjelltas.”

Të gjithë janë pozicionuar në rrethinën e Cyrihut, por nuk janë vetëm shokë por edhe kanë lidhje familjare.

Ata pranojnë qe kanë gjetur përkrahjen e madhe të komunitetit shqiptar të këtushëm pavarësisht se kanë dialektin dhe mentalitetin pak ndryshe. “Në përgjithësi kemi gjetur përkrahjen e tyre. Madje jam befasuar me gatishmërinë e kosovarëve. Ngase ne kemi ardhur pa njohur askënd dhe duke banuar në një apartament të përbashkët. Shumë raste më kanë pritur me ngrohtësinë më të madhe dhe kjo më ka befasuar shumë”, rrëfen Dimitri.

Sipas tij, Zvicra ka vetëm një të keqe: nuk e ka detin.

“Në Greqi kemi jetuar për 20 vite. Atje më shumë funksionojnë ndjenjat se ligji e këtu është e kundërta.”

 

Sfidë do të mbetet nga shpërngulja e sërishme  për Dimtrin, Teodorin dhe Nikon integrimi në Zvicër. Dhe jo vetëm për Dimitrin, Teodorin dhe Nikon por edhe për 100 shqiptarë të tjerë që migruan së fundi nga Greqia në Zvicër.

Menduam më larg…

Në Shqipëri ata kishin krijuar një fabrikë për prodhimin e biskotave, nga e cila ushqehen tash e kësaj dite 80 deri 90 familje. I njëjti biznes vazhdon suksesshëm rrugëtimin edhe pas ikjes së tyre nga Shqipëria për në Zvicër. “Jeta është e bukur në Shqipëri dhe biznesi ecte mirë por ne menduam më larg, për sigurinë dhe perspektivën e fëmijëve tanë dhe menduam sërish të emigrojmë diku në Evropë, por jo të kthehemi në Greqi”.

Kemi gjetur mikpritjen e kosovarëve në Zvicër

“Në përgjithësi kemi gjetur përkrahjen e tyre. Madje jam befasuar me gatishmërinë e kosovarëve. Ngase ne kemi ardhur pa njohur askënd dhe duke banuar në një apartament të përbashkët. Shumë raste më kanë pritur me ngrohtësinë më të madhe dhe kjo më ka befasuar shumë”, rrëfen Dimitri.