Lajme

Edhe policia kundër referendumi kundër emigracionit

Drejtuesit e policive kantonale në Zvicër kanë paralajmëruar se miratimi i iniciativës “Jo Zvicrës me 10 milionë banorë” në referendumin e 14 qershorit mund të ketë pasoja serioze për sigurinë kombëtare.

Sipas Karin Kayser-Frutschi, presidente e Konferencës së Drejtorëve të Policive Kantonale, një votë “pro” mund të rrezikojë qasjen e Zvicrës në bazat evropiane të të dhënave policore dhe sistemet e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër krimit. Kjo do ta vështirësonte luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Shoqata Zvicerane e Policëve ka paralajmëruar gjithashtu se dobësimi ose humbja e marrëveshjeve me Bashkimin Evropian mund të ketë pasoja të menjëhershme në punën e përditshme të policisë, duke kufizuar shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin me autoritetet e vendeve fqinje, transmeton albinfo.ch.

Debati lidhet me iniciativën e promovuar nga partia SVP, e cila synon të kufizojë popullsinë e përhershme të Zvicrës në maksimum 10 milionë banorë deri në vitin 2050. Mbështetësit argumentojnë se emigracioni i lartë po ushtron presion mbi tregun e banesave, transportin dhe infrastrukturën publike.

Nga ana tjetër, qeveria federale, organizatat ekonomike dhe tashmë edhe përfaqësuesit e policisë paralajmërojnë se kufizimi i emigracionit mund të ndikojë jo vetëm ekonominë, por edhe sigurinë e vendit për shkak të rrezikimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë.