Sport

Ekipi bëhet i fortë përmes inteligjencës së diversitetit

Edhe skuadrat nacionale po bëhen gjithnjë më transnacionale dhe multikulturore. Me faktin se klubet e mëdha evropiane i kërkojnë lojtarët më të mirë në të gjithë kontinentet, jemi mësuar me kohë. Po ashtu edhe me faktin se kampioni francez, Paris SG ka tashmë vetëm një francez ndërsa në kohën para Leicesterit, te kampioni britaniku luanin vetëm një ose dy britanikë. Por, tash po bëhen gjithnjë më transnacionale edhe ekipet nacionale. Shoqëritë euro(perëndimore) migratore po bëhen me ekipe të vetat multikulturore. Dhe sa më suksesshëm që ata luajnë, aq më shumë

Tetë vjeç ishte Miroslav Klose nga qyteti i Shlezisë së Epërme Opole, në Poloni, kur ai, në vitin 1986 kur ai në Kuselin e Pfalz-it po qëndronte para një supermarketi gjerman. I pashpresë, siç e kujton. Sepse ai donte ta merrte një karrocë për gjërat që do t`i blinte por nuk dinte se si. “Kështu, dola pak mënjanë dhe fillova të vëzhgoj se si ja bënin të tjerët, deri sa pash se aty duhej futur një monedhë prej një marke”, i tregon Klose pothuaj 30 vjet më vonë kancelares gjermane Angela Merkel. Ajo e kishte ftuar atë në Berlin. Sepse nga fëmija i vëmendshëm emigrant doli një gjerman kampion botëror futbolli dhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve i kombëtares gjermane.

Pak pasi kishte tejkaluar problemin me blerjen në supermarket, Miroslav Klose iu bashkua klubit futbollistik SG Blaubach-Diedelkopf. Ai, për juniorët e këtij klubi përgjatë 11 viteve ka shënuar gjithsej 71 gola, më shumë se cilido vendës në historinë e klubit të fshatit në Pfalzin perëndimor, klub që tash nuk ekziston. Synimin për t`u bërë zdrukthëtar ai e braktisi shpejt. Futbolli u bë profesioni dhe ardhmëria e tij. Trajneri i tij i atëhershëm Dieter Schmolke thotë: “Ishte relativisht i hajthëm dhe me këtë, në krahasim me moshatarët e vet më i dobët se shumica, por dobësi që ai e kompensonte me teknikën e tij dhe para së gjithash me goditjet që atëherë shumë të dalluara me kokë”.

Pas Blaubach-Dielkopf, në vitin 1998 për Klosen flasin klubet si Homburg (viti 1998, 33 lojë, 11 gola) dhe nga viti 1999 Kaiserslautern (170 lojë, 70 gola), Werder Bremen (89 lojë, 53 gol) dhe Bayern Munih, 98 ndeshje, 24 gola) si dhe gjatë pesë viteve të fundit Lazio Romë (139 ndeshje e 54 gola). Më e rëndësishme se kjo: në vitin 2001 ai debutoi në Kombëtaren Gjermane. Kur Klose pas 137 ndeshjeve të luajtura, në vitin 2014 u tërhoq nga ajo si kampion botëror, ai kishte shënuar jo më pak se 71 gola për ekipin gjerman – më shumë se cilido futbollist tjetër gjerman në histori. Po ashtu askush më shumë se Klose nuk ka shënuar gola gjatë kampionateve botërore (16).

Integrim përmes lojës

Por, të gjithë këta gola dhe rezultatet e tij të jashtëzakonshme si të tilla nuk do ta sillnin Klosen në Berlin për të merituar nderimin e kancelares federale. Fondacioni gjerman për integrim “Goldene Victoria” ka shumë më tepër merita pasi që ai në skuadrën kampione botërore të Gjermanisë ka qenë vetëm njëri nga shumë fëmijët e emigrantëve. Së bashku ata ditën të ngrinin një lojë me shumë shije, të një cilësie çfarë një skuadër prej vendësve, përkundër titujve botërorë nga vitet 1954, 1974 dhe 1990 asnjëherë nuk e kishte arritur akoma.

Kancelarja Merkel po nderonte këtë futboll multikulturor, kampion botëror – gjashtë vite pasi që ajo në Kongresin e Partisë Popullore austriake (ÖVP) kishte proklamuar fundin e shoqërive multikulturore.

Lukas Podolski (31 vjeç) i takon tipit të njëjtë të migracionit sikurse Klose. Vjen sikur ai nga Polonia, më saktë, nga Glivice i Shlezisë lindore. Ai është shpërngulur me familjen e tij qysh si dyvjeçar në Këln, mjaft herët sa për të mësuar të flasë në dialektin e njohur me emrin “Kölsch”. Ndërkohë ai në mesin e lojtarëve aktivë të kombëtares gjermane jo vetëm që është zgjedhur më së shpeshti për të luajtur dhe ka shënuar më së shumti gola por është edhe njeriu që bën atmosferën në ekip.

Por Klose dhe Podolski para dhjetë vitesh kanë qenë gjithçka vetëm jo fytyra përfaqësuese për emigrantët në Gjermani. Të tillë atëherë ishin që me kohë, turqit. Por talentet e futbollit nga ai komunitet gjetën rrugën për në maja vetëm pas reformës së punës me juniorët në Gjermani. Më të mirët nga ta dhe njëherësh kampionë botërorë të vitit 2014 janë sot Mesut Yilmaz (27 vjeçar) dhe Ilkay Gündokan (25) si dhe ylli nga të rinjtë  Imre Can (22). Prindërit e të treve kishin emigruar nga Turqia. Ose: Jerome Boateng (27) është rritur në Berlin si fëmija e i një nëne gjermane dhe babai ganez, ndihmës kapiteni Sami Khedira (29) është me dyshtetësi marokane-gjermane. Menaxheri i përfaqësueses gjermane Olivier Bierhoff promovon prej vitesh integrimin në lojë të shtetasve gjermanë pa rrënjë gjermane. Arsyeja: “Natyrisht që lojtarët të cilët kanë një prejardhje tjetër kulturore, sjellin me vete karakter tjetër, një sharm tjetër të lojës, një filozofi tjetër jetësore, dhe kjo na pasuron”. Teza e Jogi Löw-it dhe Bierhof-it është: “Nga përzierja lind fuqia sportive!”.

Pararendës dhe frymëzues të kësaj kthese në orientimin gjerman ishin ekipet e adhuruara  e tradicionalisht me shumëllojshmëri prejardhjesh të futbollistëve si Franca dhe Holanda. Mbi të gjitha ekipi francez, kampion i botës në vitin 1998, si ekipi i parë me lojtarë nga të gjitha kontinentet e botës, i kishte entuziazmuar të gjithë, me përjashtim të Marie Le Pen i cili ankohej për krenarinë e pamjaftueshme gjatë këndimit të himnit (Marsejezës).

Nga “les bleus” – pasi që kombëtarja Franceze tradicionalisht luan me fanella të kaltra – u bënë Black (zi), Blanc (bardh) dhe Beur (esmer) duke iu referuar ngjyrave të lëkurës të lojtarëve. Me Beur kuptohen fëmijët e lindur në Francë, të ardhur nga Magrebi, kolonitë e dikurshme të Francës në Afrikën e Veriut. Kështu, prindërit e kapitenit të hyjnizuar Zinedin Zidane (Zizou), sot trajner i Kampionit të Ligës së Kampionëve, Real Madridit, vinin nga Algjeria. Me prejardhje afrikane kanë qenë edhe Marcel Desailly (nga Gana) dhe Patrick Vieira (Kepi i Blertë). Nga Antilet Franceze, departamenti tejoqeanik francez Guadeloupe dhe Martiniku kishin ardhur edhe Bernard Dieomede dhe golashënuesi i shumëfishtë Thierry Henr, Bernard Lama nga Guajana franceze, Christian Karemberg nga ishulli i Paqësorit Jugor Kaledonia e Re, ndërsa David Trezeguet ka prejardhje argjentinase për të vazhduar pastaj me Robert Piresin portugez, portierin me prejardhje spanjolle Fabien Barthez dhe armenianin Youri Djorkaef.

Kampionët Botërorë nga Franca simbolizonin kështu jo vetëm fëmijët e emigrantëve të ndryshëm por edhe fuqinë e vjetër koloniale, Francën. Sado që futbolli në Francë që herët është luajtur para së gjithash nga fëmijët e punëtorëve. Kështu, u panë qysh herët në ekipet futbollistike të qendrave të thëngjillit, përpunimit të çelikut si Lille, Lens, Metz, Nancy ose St-Etienne fëmijët e familjeve emigrante nga Polonia (në vitet 1950 ata përbënin jo më pak se 10 për qind të profesionistëve francezë të futbollit), pastaj nga  Italia, Afrika e Veriut dhe Kolonitë tjera.

“Equipe Nationale” ia detyron sukseset e veta të mëdha prej kohësh këtyre fëmijëve të emigrantëve. Kështu, heronj të trekolorëve të cilët në  Botërorin e vitit 1958 në Suedi zunë vendin e tretë ishin fëmijët e emigrantëve nga Polonia (si Raymond Kopa, Maryan Wisnieski, Stephan Bruey), nga Italia (Roger Piantoni, Bernard Chiarelli), Ukraina (Kazimir Hnatow), Spanja (Claude Abbes) dhe Afrika e Veriut (Just Fontaine dhe Celestin Oliver).

Në Francën, kampione të Evropës në vitin 1984 dhe gjysmëfinaliste të Botërorit 1982 e 1986 kanë luajtur, nën drejtimin e kapitenit dhe artistit të futbollit Michel Platini, një nip emigrantësh italianë edhe Battiston, Ferreiri dhe Bellone. Rrënjë spanjolle kishin Luis Fernandes, Manuel Amoros dhe strategu mesfushor Alain Giress. Nga Afrika kishin prejardhjen portieri Larios, Soler dhe Lopez, nga Afrika e zezë Jean Tigana dhe Jose Toure, nga regjionet tejoqeanike franceze Marius Tresor, Alain Couriol dhe Jacques Zimako. Nga Polonia, prej nga në vitet 1960 dhe 1970 nuk emigronin më punëtorë, vinte Yannick Stopyra, jo më pak i famshëm dhe i talentuar.

Trikolorët e sotëm janë jo më pak transnacionalë dhe llogariten, si nikoqirë, krahas Gjermanisë ndër favoritët kryesorë. Shumica janë të lindur në Francë si fëmijë të prindërve emigrantë dhe luajnë në klubet e mëdha evropiane, jashtë Francës. Kështu, prindërit e Paul Pogba (23 vjeç) vijnë nga Guinea e ai luan për Juventusin e Torinos. Prindërit e Kingsley Coman (20, Bayern Munih) vinin nga Guadeloupe dhe Anthony Martial (20, Manchester City) nga Senegali. Po ashtu Patrice Evra (35 Yuventus) dhe Bacary Sagna (33 Mancehester City) janë me prejardhje nga Senegali. Babai i Raphael Varane (23, Real Madrid) vijnë nga ishulli Martinik, N`Golo Kante (25, Laicester) ka prejardhje nga Mali, Eliaquim Mangala (25, Manchester City) ka pasaportë kongoleze, belge dhe franceze.

A do të thotë kjo tash se të gjitha këto kombëtare transnacionale janë shprehje e shoqërive migratore me integrim shembullor? Jo, mendon sociologu francez Patrick Mignon: “Integrimi përmes futbollit është iluzion. Për disa politikanë në fuqi kjo dukej si një zgjidhje e mrekullueshme. Por racizmi në Francë vazhdon të rritet si më parë”. Fronti Nacional i ekstremit të djathtë dhe ksenofobik kërcënon që në zgjedhjet e ardhshme të bëhet forca më e madhe politike. Dhe getot me shumë fëmijë të papunë emigrantësh ilustrojnë kufijtë e asaj se çfarë është e mundur të bëhet në Francë për integrimin përmes futbollit. Në Francë është më shumë për t`u vënë re se që nga ekipi i Kampionatit Botëror të vitit 1998, Franca mbështet shumëllojshmërinë kulturore brenda vetes, e njeh atë si forcë dhe burim të pasurisë si dhe se po ndahet nga tabloja e hershme mashtruese e kombit unik.

Por megjithatë ia vlen të konstatohet se sporti ashtu sikurse mbase vetëm edhe muzika, ua lehtëson të huajve qasjen në shoqërinë shumicë, mundëson njohjen dhe dëshmimin e shpejtë më shumë se kudo tjetër. Por kjo qasje vlen vetëm për ata të cilët zotërojnë talentin përkatës dhe forcën e qëndrueshmërisë – veti këto të cilat mjerisht nuk ia kanë të gjithë as në mesin e emigrantëve e as të vendësve.

Ambivalenca e njëjtë tregohet edhe në rastin e Holandës. Edhe atje janë fëmijët e emigrantëve të ardhur nga kolonitë ata me të cilët lidhet prej dekadash fama e “Oranje”-ve. Babai i Ruud Gullit (kapiteni i  Holandës, Kampion Evropian nga viti 1988) dhe ai i Frank Rijkaard kishin ardhur në vitet `50 nga Surinami në Amsterdam, pak para se kolonia e vjetër në Amerikën Latine të bëhej e pavarur. Më vonë me Kluivert, Davids dhe Seedorf vijnë emigrantë tjerë me emra të cilët nuk i harron asnjë tifoz futbolli. Sot ka më shumë fëmijë emigrantësh nga Maroku dhe Turqia si Khalid Boulahrouz dhe Inbrahim Afellay, të cilët pasurojnë futbollin holandez, përkundër faktit se kësaj here nuk arritën në Evropian. Por, zyrtarisht, qeveria holandeze nën ndikimin e fuqishëm të partisë së ekstremit të djathtë (Partia e Lirisë) është përshëndetur nga synimi për një shoqëri multikulturore sikur zonj Merkel dikur. Gazetari holandez i futbollit Henk Spaan lidhur e këtë thotë: “Lojtarëve kjo nuk u bën përshtypje. Ata sot i takojnë një gjenerate të vetëdijshme, në fushë ata janë si të thuash të verbër për të parë ngjyra. Ata besojnë në veten e tyre, e luajnë lojën e tyre dhe për ta nuk ka rëndësi se çfarë pikëpamjesh kanë shikuesit rreth tyre”.

Po Nati zviceran? Një gazetar australian i kishte shpallur ata  në Rio si kampionë botëror sa i përket përbërjes së lojtarëve me prejardhje të huaj, para ekipeve të Australisë, Algjerisë dhe Bosnjës. Edhe në këtë kampionatin aktual evropian nuk duhet të jetë shumë ndryshe. Nuk është çudi për një vend në të cilin mbi një e katërta e banorëve nuk ka pasaportë zvicerane dhe mbi 40 për qind e zviceranëve e kanë së paku njërin gjysh jo zviceran. Dhe megjithatë, kjo hapje po harrohet gjithmonë nga shumicat në votimet që bëhen lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me Evropën, refugjatët dhe marrëdhëniet me jozviceranët – gjë që i kishte rënë në sy madje edhe gazetarit australian.

Pa shikoni njëherë, sa veta nga 11-shi startues më 11 qershor në ndeshjen kundër Shqipërisë në Lens do të mund të ishin të pranishëm sikur të gjithë lojtarët me prindër  nga jashtë vendit do të ndaloheshin të luanin? Ose, sa nga shqiptarët do të ishin ende aty, në rast se nuk do të guxonin të luanin jashtë vendit ata që janë shkolluar për futboll në Zvicër? Transnacionaliteti edhe në kombëtaret e sotme të futbollit është shprehje e migracionit enorm të dekadave të kaluara dhe e multikulturalitetit të shoqërive të sotme. Të menduarit dhe qasja e shumë shikuesve duhet të ndryshojë qysh në pjesën shtesë të lojës para se të mund  ta kuptojnë dhe çmojnë këtë edhe në jetën jashtë fushues së futbollit.

  • Andreas Gross është politolog, për 24 vjet deputet nacional dhe i Këshillit të Evropës. Tifoz i FC Baselit, si 18 vjeçar, nxënës i gjimnazit, ka filluar të raportojë për ndeshjet e ligës së dytë të FC Kleinhünningen, në trekufirin e Bazelit.
  • Që nga viti 2014 ai është edhe kryetar i kuvendit të albinfo.ch
  • Këtë artikull e ka botuar në Tages Anzeiger dhe e ka ofruar për botim edhe në albinfo.ch