Të tjera

Ekipi olimpik në Festivalin Olimpik në Prishtinë

Prania e ekipit të xhudos, zgjoi kureshtjen e të pranishmëve, të cilët patën rastin ta shohin medalisten e artë në “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi, duke shfaqur aftësitë e saj edhe në kërling

Kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, xhudisti i mirënjohur, Akil Gjakova, trajneri – kampion olimpik, Driton Kuka dhe kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka, kanë vizituar të martën Festivalin Olimpik PyeongChang 2018, i cili po mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Mysafirët patën rastin të praktikojnë edhe sportin e kërlingut, i cili bashkë me patinazhin dhe hokejin po promovohen nga Komiteti Olimpik i Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Prania e ekipit të xhudos, zgjoi kureshtjen e të pranishmëve, të cilët patën rastin ta shohin medalisten e artë në “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi, duke shfaqur aftësitë e saj edhe në kërling.

Akil Gjakova me vete kishte edhe medaljen e artë të fituar javën e kaluar në Grand Slamin e Parisit.

Më pas, kampionët, iu drejtuan edhe fushës me akull sintetik, ku dhjetëra fëmijë dhe vullnetarë patën rastin të fotografohen me ta.

Në 12 ditët e deritashme prej se ka filluar Festivali, sportet e kërlingut dhe patinazhit i kanë praktikuar dhjetëra mijëra fëmijë, kurse në dy ditët e fundit (24 dhe 25 shkurt) fëmijët do të shijojnë edhe sportin e hokejit.

Festivali po mbahet krahas Lojërave Olimpike Dimërore PyeongChang2018, të cilat po përcillen në ekranin gjigant të vendosur skaj aktiviteteve.