Lajme
Ekspertja shqiptare: Trajtimi medikamentoz i Kovidit, pa antibiotikë!
Te COVID-19 nuk ka asnjë indikacion që të përdoret terapia preventive me antibiotikë për të parandaluar një infeksion të mundshëm me baktere
Kur jepet antibiotiku te COVID-19
Antibiotikët përdoren te infeksionet bakteriale dhe nuk kanë kurrfarë efekti kundër viruseve, pra as kundër virusit SARS-CoV-2, shkaktarit të COVID-19.
Për mjekun nuk është gjithmonë e lehtë të dallojë simptomat e infeksionit të mushkërive, pneumonisë së COVID-19 nga pneumonia bakteriale. Megjithatë, terapia me antibiotikë duhet të fillohet vetëm nëse konfirmohet (super)infeksioni bakterial. Kjo bëhet në bazë të imazhit radiologjik të mushkërive, kultivimit të baktereve nga mostrat e gjakut dhe sputumit si dhe analizat laboratorike të CRP-së dhe prokalcitoninës.
Në bazë të të dhënave statistikore të deritashme, numri i pacientëve me COVID-19, të cilët zhvillojnë infeksione sekondare bakteriale, është tejet i ulët.
Pra, te COVID-19 nuk ka asnjë indikacion që të përdoret terapia preventive me antibiotikë për të parandaluar një infeksion të mundshëm me baktere.
Paracetamoli : në cilat raste?
Paracetamoli preferohet te pacientët të cilët kanë dhembje të muskujve dhe kokës, si dhe te ata me temperaturë dhe ethe. Disa mjekë nuk përshkruajnë as paracetamol tek rastet e lehta. Kjo, duke pasur parasysh faktin, që virusi i COVID-19 është i ndjeshëm ndaj temperaturës së lartë, e cila edhe e lufton dhe dobëson efektin negativ të virusit .
Parandalimi i trombozës me heparinë: në cilën fazë të COVID-19?
Dhënia e heparinës për të parandaluar trombozën preferohet në rastet e rënda, kur pacientët janë të shtrirë në spital ose edhe te pacientët në shtëpi por që kanë rrezikshmëri të lartë për trombozë. Zakonisht jepet heparina LMWH kurse te personat që kanë antitrupa të quajtur “HIT” preferohet dhënia e Fondaparinux-it . Antitrupat „HIT“ fillojnë të prodhohen 5-10 ditë pas fillimit të terapisë me heparinë LMWH dhe shkaktojnë trombozë dhe rënie të numrit të trombociteve, gjë që mund të shkaktojë komplikime serioze për jetë. Pra, kujdes nga trajtimi i pakontrolluar me heparinë!
Si alternativë ndaj heparinës mund të jepet edhe medikamenti oral Xarelto (Rivaroxaban).
Terapia specifike (deksametazoni, Remdesiviri, plazma, antitrupat monoklonalë)
Për pacientët në gjendje të rëndë rekomandohet deksametazoni, ose në mungesë të tij, edhe glukokortikoidet tjera. Gjatë trajtimit me deksametazon duhet patjetër të monitorohet vlera e glukozës në gjak.
Në bazë të testimeve dhe studimeve të deritashme, deksametazoni ka pasur më së shumti efekt te pacientët me probleme të frymëmarrjes që janë në terapi me oksigjen.
Medikamenti antiviral Remdesivir nuk ka pasur efekt signifikant në ulje të mortalitetit te pacientët e hospitalizuar, siç ka pasur raportime në fillim dhe për këtë arsye nuk rekomandohet më nga OBSH. Megjithatë, në protokolet e shumë qendrave të mëdha Remdesiviri rekomandohet ende, sepse e shkurton kohëzgjatjen e sëmundjes, sidomos te pacientët në oksigjenim jo-invaziv.
Për pacientët me COVID-19 që trajtohen në shtëpi, akoma nuk ka konkludime të sakta nëse Remdesiviri ka efekt sinjifikant pozitiv, mirëpo preferohet si terapi kundër COVID-19 nga shumë mjekë.
Plazma konvalescente e përbërë nga antitrupat e fituar nga personat që e kanë kaluar COVID-19 është menduar që do të jetë medikament shumë efektiv . Të dhënat e deritashme janë të limituara dhe nuk dihet definitivisht nëse ky lloj i trajtimit është efikas te pacientët e hospitalizuar. Në bazë të rezultateve të para, efekti më i madh është kur plazma jepet në ditët e para të sëmundjes.
Agjensioni FDA në SHBA ka lejuar me procedurë emergjente edhe përdorimin e antitrupave monoklonalë Bamlanivimab dhe kombinimit Casirivimab-Imdevimab te pacientët në trajtim në shtëpi. Rekomandohet dhënia intravenoze e një doze të vetme brenda 10 ditëve të para të sëmundjes. Rezultatet e para janë shpresëdhënëse se këta antitrupa monoklonalë e neutralizojnë virusin, i cili pastaj nuk ka aftësi të shumëzohet dhe të shkaktojë dëme në qelizat e njeriut.
Rekomandimet aktuale
Terapia efikase te COVID-19 përbëhet nga:
- Paracetamoli kundër temperaturës, etheve, dhembjes së muskujve dhe kokës.
- Heparina për parandalimin e trombozës te pacientët e shtrirë në spital dhe te pacientët në shtëpi me rrezik të lartë për trombozë.
- Në raste të veçanta, në vend te heparinës jepet
- Deksametazoni te pacientët e hospitalizuar me probleme serioze të frymëmarrjes që janë në terapi me oksigjen.
- Remdesiviri, plazma konvalescente dhe antitrupat monoklonalë në raste të caktuara individuale.
- Kurse antibiotiku jepet vetëm te infeksioni sekondar bakterial i konfirmuar me teste plotësuese laboratorike.
Këto rekomandime nuk janë definitive dhe pritet të aktualizohen posa të ketë të dhëna dhe testime të reja.
- Dr. med. Fatime Imeri Berisha është specialiste për Mikrobiologji, Imunologji, Hematologji, Kimi Klinike dhe Diagnostikë Molekulare
E-Diaspora
-
Bajram Shillova përballë flakëve: guximi që shpëtoi një jetë Në Schattdorf të Kantonit Uri, reagimi i menjëhershëm i një qytetari bëri dallimin mes jetës dhe... -
Shoqata ‘Iliria München’ shënon 25-vjetorin me muzikë dhe traditë -
Hektor Krasniqi, futbollisti që la Austrinë për të ndërtuar ëndrrën e tij në Kosovë -
Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin për Diasporën -
Qendra e Botimeve për Diasporën uron Ditën Kombëtare të Diasporës dhe Ditën Ndërkombëtare të Migracionit
Jeta në Zvicër
-
Posta do të vazhdojë t’u shërbejë edhe zonave më të izoluara Këshilli Federal heq dorë nga reforma që parashikonte ndalimin e dorëzimit në shtëpitë e largëta dhe... -
Zvicra me strategji të re kombëtare kundër krimit të organizuar -
Numër rekord i mysafirëve në Zvicër gjatë vitit 2025 -
Takimi përmbyllës vjetor i koordinimit të misionit diplomatiko-konsullor shqiptar në Zvicër -
Zvicra shënon vitin e katërt më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë












