Muzikë

Elina Duni, Ambasadorja e Xhazit Modern: Fituesja e Swiss Jazz Award 2025

Zëri i saj ndërthur traditën shqiptare me universin bashkëkohor të xhazit. Albinfo.ch shpall Elina Dunin Personalitet të Vitit 2025 në fushën e kulturës

Në pasqyrën kulturore të Zvicrës, pak figura arrijnë të harmonizojnë mjeshtërisht traditën, modernitetin dhe identitetin kulturor ashtu sikurse Elina Duni. Fitimi i Swiss Jazz Award 2025 e kurorëzon një rrugëtim të jashtëzakonshëm artistik, duke e vendosur atë në qendër të skenës zvicerane dhe evropiane të xhazit. Ky çmim prestigjioz, i ndarë çdo vit në kuadër të Jazz Ascona, nderon personalitete që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën muzikore helvetike – dhe në vitin 2025, kjo gjurmë mban emrin e Elina Dunit.

E lindur në Tiranë në vitin 1981, në një familje artistësh, Duni u ngjit për herë të parë në skenë në moshën pesëvjeçare, në radion dhe televizionin shqiptar. Pas rënies së regjimit komunist, ajo u zhvendos me nënën e saj në Gjenevë, ku u zhyt fillimisht në studimet e pianos klasike, për t’u orientuar më pas drejt xhazit, gjuhës muzikore që do të bëhej boshti i identitetit të saj profesional. Formimi në Universitetin e Arteve në Bernë e pajisi me instrumentet kompozicionale dhe improvizuese që do të përcaktonin stilin e saj të larmishëm. Gjatë kësaj periudhe, së bashku me Colin Vallon, Patrice Moret dhe Norbert Pfammatter, krijoi Elina Duni Quartet, një ansambël që solli në skenë një sintezë të re mes xhazit modern dhe tingujve të Ballkanit.

Photo: Maurizio Anderlini

Në vitin 2012, Duni iu bashkua shtëpisë diskografike ECM Records, një prej platformave më prestigjioze të xhazit botëror. Aty publikoi “Matanë Malit” (2012) dhe “Dallëndyshe” (2015), dy albume që u pritën me entuziazëm nga kritika dhe vendosën themelet e saj si një zë unik ndërkombëtar. Në bashkëpunim me kitaristin britanik Rob Luft, ajo u fut në një fazë të re krijuese, e cila kulmoi me albumet “Partir” (2018), “Lost Ships (2020) dhe më së fundi “A Time To Remember” (2023) , një gur kilometrik në evoluimin e saj artistik, ku zëri i Dunit merr një dimension të ri: më intim, më universal, më thellësisht human.

Juria e Swiss Jazz Award e përshkroi Elina Dunin si një artiste “me talent të jashtëzakonshëm dhe me aftësinë për të krijuar një gjuhë muzikore poetike dhe emocionale, që ndërthur me delikatesë xhazin me muzikën tradicionale të vendlindjes së saj”. Më tej, juria theksonte se ajo “ka ditur të rinovojë gjuhën e xhazit dhe të frymëzojë një brez të tërë muzikantësh të rinj” – një vlerësim që i shtohet çmimit të saj të mëparshëm Swiss Music Prize 2017 dhe shumë vlerësimeve evropiane.

Në këtë kthesë të rëndësishme të karrierës, Elina Duni mbetet një artiste që e përdor muzikën si urë mes gjuhëve, historive, emocioneve dhe kulturave. Ajo vetë e përkufizon këtë mision artistik me thellësi.

albinfo.ch: Rrugëtimi juaj nisi nga xhazi i folklorit shqiptar dhe u zgjerua drejt xhazit universal. Si e përktheni identitetin kulturor në një gjuhë muzikore globale?

Elina Duni: “Gjatë gjithë karrierës sime 17-vjeçare kam pasur fatin të performoj pothuajse në të gjithë botën… Rrugëtimi ka nisur me interpretimin e këngëve folklorike shqiptare në xhaz, që në atë kohë ishte një risi e madhe. Qëllimi im ka qenë gjithmonë të shërbej poezinë që mbartin këngët folklorike shqiptare, thelbin e tyre poetik, dhe ta nxjerr në pah përmes xhazit. Po ashtu, kam dashur të ndërtoj një urë midis njerëzve dhe kulturave, për të treguar se ajo që na lidh është më e fortë se ajo që na ndan. Temat e lirisë, dashurisë dhe vdekjes janë universale, dhe kam kërkuar të ndriçoj pikërisht këtë universalizëm të folklorit shqiptar.”

albinfo.ch: Xhazi konsiderohet një muzikë komplekse dhe kërkuese. Si e përjetoni ju këtë kompleksitet si interpretuese dhe pedagoge?

Elina Duni: “Shtatë-tetë vitet e fundit kam zhvilluar më tej repertorin tim, duke integruar këngë të xhazit amerikan dhe kompozime origjinale me Rob Luft. Unë jap mësim xhazi në Universitetin e Baselit, sepse xhazi është një fjalor i domosdoshëm në muzikën që unë bëj. Është një muzikë që nuk mbaron kurrë, bukuria e saj qëndron te pafundësia e saj. Për artistin, kjo është sfidë, por edhe liri. Rrugëtimi im, që nisi shumë ballkanik, tashmë është hapur drejt një identiteti më universal, duke integruar stile të ndryshme dhe gjuhë muzike të shumta.”

albinfo.ch: Juria e Swiss Jazz Award 2025 vlerësoi aftësinë tuaj “për të rigjallëruar gjuhën e xhazit”. Çfarë nënkupton për ju rigjallërimi i xhazit sot?

Elina Duni: “Publiku shqiptar i diasporës është shumë i veçantë për mua. Edhe kur nuk luaj këngë shqiptare, ata reagojnë me energji, pasthirrje, duartrokitje të flakta. Më mbajnë pezull. Për mua, rigjallërimi i xhazit nënkupton hapjen e tij ndaj kulturave, historive dhe emocioneve të ndryshme. Xhazi është një territor i gjallë, jo një traditë e ngrirë. Jam shumë e lumtur që publiku im vazhdon të më mbështesë dhe të zbulojë xhazin përmes punës sime, qoftë kur këndoj folklor shqiptar, qoftë kur eksploroj horizonte të reja muzikore.”

Elina Duni do të performonte më 28 qershor 2025 pas ceremonisë së ndarjes së çmimit në Ascona, e shoqëruar nga një bend superprofesional si: Rob Luft (kitarë), Matthieu Michel (flugelhorn), Patrice Moret (bass) dhe Corrie Dick (bateri).

Swiss Jazz Award, i themeluar në vitin 2007, është një nga çmimet më të rëndësishme të xhazit në Zvicër, me fitues të mëparshëm si Bruno Spoerri, Franco Ambrosetti, Othella Dallas dhe Swiss Jazz Orchestra.

Elina Duni është sot një nga zërat më të fuqishëm të xhazit evropian: një artiste që ndërton ura, një interpretuese që ringjall gjuhë muzikore dhe një personalitet që e bën kulturën shqiptare pjesë të dialogut global. Për këtë arsye, Albinfo.ch e shpall me krenari Personalitetin e Vitit 2025 në fushën e kulturës.

Visar Kryeziu – Different Shows

Ta ndriçoj universalizmin e folklorit shqiptar

“Qëllimi im ka qenë gjithmonë të shërbej poezinë që mbartin këngët folklorike shqiptare, thelbin e tyre poetik, dhe ta nxjerr në pah përmes xhazit. Po ashtu, kam dashur të ndërtoj një urë midis njerëzve dhe kulturave, për të treguar se ajo që na lidh është më e fortë se ajo që na ndan. Temat e lirisë, dashurisë dhe vdekjes janë universale, dhe kam kërkuar të ndriçoj pikërisht këtë universalizëm të folklorit shqiptar.”