Kosova

Escobar: Pa zgjidhje për Asociacionin, do të ketë krizë të vazhdueshme

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Kosova e ka për obligim formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe nëse nuk zgjidhet kjo çështje, do të ekzistojë një cikël i vazhdueshëm krize.

“Mendoj se Qeveria në Prishtinë duhet ta shohë këtë çështje si mundësi. Ekzistojnë modele në Evropë që sigurojnë të drejta për minoritetet. Dhe, ato veçse janë në Bashkimin Evropian. Ekzistojnë mënyra për të krijuar mundësi për të dyja vendet”.

Ai i ka bërë këto deklarata në një diskutim të organizuar nga Këshilli Atlantik, institut amerikan me seli në Uashington, shkruan REL.

I pyetur nëse ekzistojnë afate për formim të Asociacionit, ai ka thënë se kjo çështje duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur.

“Konflikti i ngrirë nuk i ndihmon askujt në rajon. Ky është konflikti i vetëm i tillë në Evropën Qendrore”, tha Escobar.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas, më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.