Shqipëria

Euro në rënie historike ndaj lekut shqiptar

Euro po vijon rënien edhe gjatë kësaj jave, duke shënuar nivelin më të ulët historik në raport me lekun shqiptar. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane aktualisht këmbehet me rreth 95.6 lekë.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, kjo rënie lidhet kryesisht me ofertën e shtuar të valutës në treg – një dukuri tipike për periudhën e fundvitit, e nxitur nga kthimi i emigrantëve dhe flukset e shtuara të euros në ekonomi.

“Zhvlerësimi i euros lidhet me flukset hyrëse nga turistët dhe emigrantët, të cilët sjellin para në vend. Një pjesë e këtyre flukseve nuk kalon përmes kanaleve zyrtare”, shprehet ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi.

Megjithatë, ajo vëren se ndryshe nga vitet e mëparshme, rënia vjetore e kursit ka qenë më e moderuar.

“Kjo situatë është e favorshme për ekonominë, sepse ndihmon në mbajtjen e ulët të inflacionit”, thekson Radonshiqi.

Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë vitit 2026 do të rrisë blerjet e planifikuara të valutës, në përpjekje për të frenuar forcimin e mëtejshëm të lekut. Sipas ekspertëve, shpenzimet e fundvitit mund të sjellin vetëm luhatje të përkohshme të kursit në ditët në vijim.