Kosova
Euro zbret poshtë 103 lekëve
Kursi i këmbimit Euro-Lek e thelloi më shumë rënien gjatë ditës së enjte dhe zbriti poshtë nivelit të 103 lekëve, për herë të parë që nga mesi i muajit dhjetor 2023, përcjell albinfo.ch.
Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të hënën me 102.74 lekë, niveli më i ulët që prej datës 13 dhjetor. Kursi i Euros paraqitet në rënie me 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Si zakonisht, lëvizjet e ndjeshme në një kah të caktuar të kursit të Euros përcillen edhe në kursin e këmbimit të monedhave të tjera kryesore.
Dollari Amerikan u këmbye të enjten me 94.12 lekë, niveli më i ulët që prej datës 29 dhjetor. Paundi Britanik gjithashtu shënoi nivelin më të ulët që prej fillimit të muajit janar, në vlerën e 120.2 lekëve.
Me daljen nga sezoni dimëror, Leku ka nisur një cikël të ri forcimi në kursin e këmbimit. Një tendencë e ngjashme (por që mori trajtë pak më vonë, në javën e fundit të muajit mars) u shënua edhe vitin e kaluar. Agjentët e tregut mendojnë se rikthimi i forcimit të Lekut është efekt i rritjes së prurjeve valutore nga jashtë, që tashmë lidhen kryesisht me turizmin, eksportin e shërbimeve në përgjithësi, por edhe me një interes të lartë të investitorëve të huaj për tregun e pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Të dhënat e vitit të kaluar treguan rritje rekord të numrit të turistëve të huaj dhe të paktën deri në fund të 9-mujorit 2023 rezultatin më të mirë historik të bilancit të pagesave.
Pritshmëria e agjentëve financiarë është që trysnia mbi kursin e këmbimit të Euros të vijojë edhe përgjatë tremujorit të dytë të vitit.
Forcimi i mëtejshëm i Lekut nga njëra anë do të ulë edhe më shumë inflacionin e importuar në ekonomi. Në deklaratën e djeshme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësonte se inflacioni i importuar ka dhënë kontributin kryesor në uljen e inflacionit gjatë pjesës së parë të vitit 2024. Nëse forcimi i Lekut do të vazhdojë, gjasat janë që kursi i këmbimit valutor të forcojë tendencën dizinflacioniste. Në një skenar të tillë, edhe Shqipëria mund të vendoset më shpejt nga sa pritej para dilemës për të ndryshuar kahun e politikës monetare, duke filluar uljen e normave të interesit.
Verën e kaluar, kursi i këmbimit të Euros preku nivelin më të ulët historik, shumë afër kufirit të 100 lekëve. Tendencat që po shfaqen këtë vit tregojnë se forcat e tregut e projektojnë si mjaft të mundshme thyerjen e këtij rekordi.
Forcimi i Lekut ka ndihmuar në uljen e inflacionit dhe ka ndihmuar ndjeshëm në ruajtjen e cilësisë portofolit të kredisë në valutë, duke amortizuar rritjen e normave të interesit në Euro. Por, nga ana tjetër Leku i fortë ka dëmtuar ndjeshëm sektorët eksportues të ekonomisë dhe sidomos fasonerinë. Shifrat tregojnë rënie të eksporteve të mallrave edhe në fillim të këtij viti. Një forcim i mëtejshëm i Lekut mund të godasë edhe më shumë sektorët eksportues të ekonomisë, duke filluar nga turizmi.
Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit, por në rastin kur forcimi i Lekut do të çonte në një rënie të mëtejshme të inflacionit poshtë objektivit, Banka e Shqipërisë do të ndodhej në një situatë ku ndërhyrja në kursin e këmbimit mund të jetë e justifikueshme.
E-Diaspora
-
Nju-Jork: Baleti Kombëtar i Kosovës me dy shfaqje Bëhet e ditur se Baleti Kombëtar i Kosovës, do të realizojë edhe një paraqitje tjetër të...
-
Belgjikë: Kori “Siparantum” do të dhuroj paraqitje dinjitoze
-
Çikago: Pianistja Anila Aliu, me koncert recital
-
Sopranoja Elbenita Kajtazi ndan bursa vjetore për studentët shqiptarë të muzikës
-
BQK: Mbi 112 milionë euro i sollën mërgimtarët në Kosovë vetëm gjatë marsit
Jeta në Zvicër
-
Komiteti parlamentar zviceran kërkon 15 milionë CHF për Kampionatin Evropian të Futbollit për Femra 2025 Një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve të Zvicrës ka votuar në favor të një propozimi për...
-
Presidenti i SNB-së paralajmëron për goditje të mundshme inflacioni në Zvicër
-
Gjashtë gjëra që duhet të dini për pagat në Zvicër
-
SNB, 58.8 miliardë fitim neto në tremujorin e parë
-
Konsumatorët zviceranë kanë më shumë para, por më pak fuqi blerëse