Lajme

Fitnesi në Zvicër: një në pesë të rritur me abonim në palestër

Interesi për aktivitetin fizik dhe jetesën e shëndetshme në Zvicër po rritet ndjeshëm, me gjithnjë e më shumë qytetarë që frekuentojnë palestrat.

Sipas të dhënave të fundit, gjatë vitit 2025 rreth 1.45 milionë persona kanë qenë të regjistruar në qendra fitnesi, që përfaqëson një në pesë të rritur në vend, transmeton albinfo.ch.

Rritja e numrit të anëtarëve është shoqëruar edhe me zhvillim ekonomik të sektorit, ku të ardhurat e industrisë së fitnesit janë rritur me 4.4%, duke arritur në rreth 1.36 miliardë franga zvicerane.

Ekspertët e lidhin këtë trend me të ashtuquajturin “megatrend të shëndetit”, i cili po ndikon sidomos tek të rinjtë. Grupi më aktiv në palestra mbetet ai i moshës 20–29 vjeç, që po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi mirëqenies fizike dhe stilit të jetesës.

Ndërkohë, kërkesa është rritur për shërbime më të personalizuara si trajnimet individuale, programet wellness dhe këshillimi ushqimor, ndërsa interesi për trajnime digjitale dhe programe grupore ka shënuar rënie.

Këto zhvillime tregojnë se fitnesi në Zvicër po shndërrohet gjithnjë e më shumë në pjesë të rëndësishme të jetës së përditshme, duke reflektuar një ndryshim të qëndrueshëm në stilin e jetesës së popullsisë.