Sport

Formohet Liga Shqiptare e futsallit në Gjermani

Kryesia e FFSHGJ-së vendosi që të formojë Ligën shqiptare në futsall për ekipet që veprojnë në Gjermani, për të cilën përfaqësuesit e klubeve shfaqen interesim të madh

Kryesia e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani (FFSHGJ), në mbledhjen e datës 10 nëntor 2018, që u mbajt në Frankfurt am Main, nën drejtimin e Ruzhdi Statovcit, kryetar pasi shqyrtoi disa raporte të aktiviteteve të këtij viti vendosi për formimin e Ligës shqiptare në futsall.

Kjo ligë do të startojë më 26 janar 2019 në Berlin, thuhet në njoftim e FFSHGJ në “Facebook”, përcjell albinfo.ch.

Në mbledhje morën pjesë këta anëtarë të kryesisë: Ruzhdi Statovci, kryetar, Enver Muzliukaj, nënkryetar, Afrim Osmanaj, Riza Aliu, Shaqir Zeqiri, Kushtrim Hajrizi, Haki Qallakaj, Faton Krasniqi, Isuf Gashi, Mustafë Bellaina e Sadik Murseli, anëtarë si dhe Miftar Dragidella, sekretar i përgjithshëm, ndërkaq munguan: Nehat Osmani, Lulzim Morina, Mahir Gurgule, Bujar Haxhimusa dhe Sylë Tahiri.

Së pari Kryesia e FFSHGJ-së shqyrtoi Raportin e garës për Kupën e Kosovës që u mbajt më 23 e 24 qershor 2018, në Frankfurt si dhe vizitën e AKV Bardhodh Gërvala në Kosovë nga 24 deri me 27 tetor 2018, për të zhvilluar ndeshjen për Supërkupën Kosovë – Diasporë, kundër FC Prishtina.

Duke u shqyrtuar gara e sivjetme për Kupën e Kosovës në Gjermani u tha se ishte gara më masovike e klubeve shqiptare në 10 vjetet e fundit. Po ashtu ishte gara me e suksesshmja deri më tash, pasi që gjatë gjithë garës dy ditore nuk pati as më të voglin ekses dhe krejt kjo është meritë e udhëheqësve të klubeve të cilët janë duke e bërë një punë të mrekullueshme me klubet e tyre. Në këtë garë siç dihet triumfoi AKV Bardhosh Gërvalla nga Ludwigsburgu, klub i cili nga 24 deri më 27 tetor qëndroi në Kosovë, ku pos ndeshjes për Supërkupën Kosovë – Diasporë që e humbi në penallti, zhvilloi edhe një ndeshje kundër FC Ballkanit në Suharekë (rezultati 2:2) vizitoi edhe monumente historike dhe institucione të Kosovës, që nga varrezat e vëllezërve Gërvalla në Dubovik, kompleksin memorial “Dëshmorët e kombit” në Gllogjan, varrin e presidentit Ibrahim Rugova, varrin e legjendës së futbollit ish-.kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrrit, kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve strategjike, Federatën e Futbollit të Kosovës, komunën e Deçanit dhe komunën e Suharekës ku u pritën nga prijësit e këtyre institucioneve.

Në vazhdim kryesia e FFSHGJ-së vendosi që të formojë Ligën shqiptare në futsall për ekipet që veprojnë në Gjermani, për të cilën përfaqësuesit e klubeve shfaqen interesim të madh.

Kështu u vendos që kjo ligë të startojë më 26 janar 2019 në Berlin, ku do të mblidhen ekipet e para të futsallit që veprojnë në kuadër të FFSHGJ-së dhe nga ajo garë do të nxjerrin kampionin e parë të këtij sporti për ekipet shqiptare në Gjermani. Garat do të udhëhiqen nga Komisioni i futsallit të FFSHGJ-së, Sadik Murseli, kryetar, Enver Muzliukaj e Miftar Dragidella, anëtarë.

Pos kësaj gare më 26 janar 2019, në Berlin në një ceremoni solemne me një mbrëmje të begatë muzikore e argëtuese do të shpallën edhe sportistët më të mirë të vitit 2018 nga klubet shqiptare në Gjermani.

Bartës kryesor i sezonit të parë të Ligës shqiptare të futsallit në Gjermani do të jetë FC Liria Berlin, ndër klubet më të mira të Gjermanisë, në futsall, i cili para dy vitesh ishte nënkampion i Gjermanisë dhe nga ky klub pati edhe pesë futbollistë që u përzgjodhën për seleksionin e Gjermanisë në futsall.