Lajme

Fundjavë tragjike në Alpe: 7 alpinistë humbën jetën brenda 24 orëve

Shtatë alpinistë kanë humbur jetën brenda vetëm 24 orëve në Alpet perëndimore, në një nga fundjavat më tragjike të viteve të fundit për sportet malore. Viktimat u regjistruan në disa incidente të ndara në zonat e Gran Paradisos, Mont Blanc-ut dhe Cervinos.

Tragjedia nisi të premten, kur tre alpinistë nga Trentino humbën jetën në faqen veriore të malit Gran Paradiso (4.061 m), pasi dyshohet se ranë rreth 400 metra gjatë ngjitjes. Vetëm një ditë më vonë, katër viktima të tjera u regjistruan në rajonin e Mont Blanc-ut dhe Cervinos.

Dy alpinistë u gjetën pa shenja jete në Mont Maudit, në anën franceze të masivit të Mont Blanc-ut, ndërsa një tjetër humbi jetën pranë akullnajës Brenva.

Viktima e shtatë u regjistrua në Cervino, ku një alpinist ra gjatë ngjitjes në zonën e Pic Tyndall. Autoritetet po hetojnë ende shkaqet e sakta të aksidenteve, transmeton albinfo.ch.

Ngjarjet kanë rikthyer vëmendjen te rreziqet e alpinizmit në lartësi të mëdha. Edhe pse kushtet atmosferike nuk konsideroheshin ekstremisht të pafavorshme, ekspertët theksojnë se terreni alpin mbetet i paparashikueshëm dhe i rrezikshëm, madje edhe për sportistët me përvojë dhe të pajisur mirë.