Zhvillim

Gala mbrëmje në përmbyllje të Forumit Ekonomik Turistik për Kosovën

Afaristë të shumtë shqiptarë e zviceranë si dhe anëtarë, sponsorë dhe përkrahës të projektit „GjakovaBasel“ kishin zënë vende në një restorant të improvizuar në ambientet e një fabrike të braktisur në Bazel, për realizimin e një Gala mbrëmjeje

  • Arnold-Gjergjaj gjatë defilimit me bashkëshorten dhe trajnerin e tij majtas si dhe ambasadorin Malaj

 

Pas një shterimi dyditor të temave të ndryshme në fushën e arsimit, ekonomisë, sportit, kulturës, turizmit etj., në mbrëmjen e 31 janarit, në një fabrikë tashmë të braktisur në lagjen „Gundeldingerfeld“ të Baselit, ishte organizuar një Gala mbrëmje në shenjë të përkrahjes së Shoqatës „GjakovaBasel“. Afaristë dhe sponsorë të shumtë (ndër ta si sponsor dhe partner media edhe albinfo.ch) kaluan një mbrëmje të hareshme, të shoqëruar herë pas here me fjalime dhe pika muzikore, por edhe me ushqime e pije të këndshme të prodhuara në Kosovë, si verëra nga Rahoveci e Gjakova, birrë Peje e lëngje tjera.

Befasia e mbrëmjes ishte paraqitja e një grupi pjesëmarrësish të karnevalit  të Baselit. Ata u prezantuan me dy këngë tipike të karnevalit, njëra prej të cilave ishte kënga shumë e popullarizuar „Baseli në Rajnën time“. Nga ana tjetër, me këngë të lehta shqipe u paraqit këngëtarja e mirënjohur Yllka Kuqi e shoqëruar nga Adhurim Grezda dhe instrumentistët: Astrit Pallaska, Endrit Xërxa e Dalvin Mamusha.

Moderatori i mbrëmjes, njëherit edhe kryetar i Shoqatës „GjakovaBasel“, Georg Fankhauser, duke nderuar edhe përfaqësuesit e stafit të Ministrisë së Diasporës,të cilët kishin ardhur nga Kosova enkas për këtë manifestim, komunikimin, të shumtën e herave, e bënte në gjuhën angleze.

Zoti Fankhaueser, duke komplimentuar gjakovarët për ndërmarrësinë e tyre të suksesshme për ndërtimin e Gjakovës, mori shembullin e Vllaznim Gjihës i cili, vite më parë, ishte kthyer në Gjakovë, ndonëse, pas studimeve të përfunduara në Zvicër dhe punës së sigurt, kishte pasur kushte më të mira jetese në Zvicër.

Në paraqitjen e tij, me një gjermanishte të pastër, zoti Gjiha falënderoi çiftin Georg dhe Dorothea Fankhauser, si dhe stafin e shoqatës, për ftesën në këtë mbrëmje. Ai njoftoi të pranishmit për gati gjysmën e jetës së tij të kaluar në Zvicër, duke përfunduar këtu shkollën e mesme dhe universitetin, për të vazhduar më tutje në Universitetin e Prishtinës si asistent dhe profesor në Fakultetin Teknik. Më tutje ai shkëputi aspekte të karrierës së tij profesionale të bërë në Tesinë të Zvicrës me partnerin e tij Filipo Marbach, por edhe për vendimin e tij për t’iu kthyer tërësisht, me gjithë familjen e vet, Kosovës, në vitin 2011.

„Në Kosovë ne gjetëm një vend me një histori të vështirë ekonomike, me të ardhura më të ulëta për kokë banori në Evropë. Unë e kisha të qartë se sektori privat ishte shumë i vogël e i dobët, ndërkaq sektori publik shumë i tepërt dhe shumë joproduktiv. Pra ishte fare e arsyeshme që Kosova ka nevojë për investime, kështu që këtë edhe e bëmë me investimin tonë, fillimisht në nxitjen e ndërmarrësve të rinj në Kosovë, duke shfrytëzuar përvojën tonë ndërmarrëse“, tha zoti Gjiha, për të vazhduar me sqarimin e pasojave të ish sistemit, sidomos në mangësinë e ideve inovative dhe në traditën e ndërmarrësisë. Më tutje zoti Gjiha shpjegoi për suksesin përmes projektit “Bone vet“ që la të kuptohet për nivelin e lartë të zhvillimit të imagjinatës te fëmijët dhe të rinjtë, duke pritur kështu, së shpejti, një armatë punëtorësh të kualifikuar, inxhinierë e menaxherë të rinj, e pse jo edhe politikanë dhe udhëheqës të rinj. Falë kësaj gjenerate të re profesionistësh, Gjiha trimëroi të pranishmit, e sidomos bashkëkombasit e tij, se Kosova, së shpejti, do të dalë nga kjo gjendje e vështirë ekonomike e politike, dhe se, pse jo, pas 10-15 vjetësh Kosova të jetë në binarë të zhvillimit ngjashëm me Zvicrën dhe shtetet tjera të Evropës.

Në këtë mbrëmje ishte i pranishëm edhe ambasadori i Republikës së Kosovës, Naim Malaj, kurse special nga Kosova kishte ardhur edhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila. Ajo, duke falënderuar gjakovarët për organizimin e këtij forumi, njoftoi zviceranët e pranishëm dhe partnerët e shoqatës se, gjakovarët janë të parët  në shtetin e tyre që nga mesi i vet kanë zgjedhur një femër për kryetare të Komunës e  që është shembulli i vetëm në Kosovë.

„Për ne në Gjakovë si dhe në tërë Kosovën është e rëndësishme që t’ju japim arsye juve që të ktheheni; që ta krijojmë infrastrukturën, që të krijojmë kushte që idetë dhe vizioni juaj të mundë të zbatohet atje. Ashtu njëjtë sikur kemi bashkëpunuar me zotin Vllaznim Gjiha në krijimin e qendrës së parë „Bone vet“ e cila edhe ne tash na bën krenarë, përkundër të gjitha vështirësive për realizimin e asaj ideje si nivel komunal, sot besojmë se kemi mundësi të tjera. Njëra prej atyre mundësive që synojmë ta realizojmë në vitin 2015 është „Parku i biznesit“ në Gjakovë“, inkurajoi Kusari bashkatdhetarët për investime në Kosovë. Më tej, zonja Kusari trimëroi gjakovarët me iniciativën për funksionalizimin e aeroportit të Gjakovës që do të jetë një urë lidhëse me fluturime direkte nga Gjakova në Basel dhe anasjelltas e që parasheh realizimin e një partneriteti të mirëfilltë mes këtyre dy qyteteve.

Këtë Gala mbrëmje e begatoi edhe defilimi në publik i boksierit të njohur Arnold Gjergjaj, i futbollistit Amir Abrashi si dhe i modelisteve me veshje kosovare Ariana Morina dhe Fjolla Prifti.

Gjatë mbrëmjes, kryetari i shoqatës“ GjakovaBasel“, Georg Fankhauser falënderoi një për një donatorët e këtij forumi dyditor për Kosovën, duke i ftuar që të vazhdojnë të jenë edhe më tutje mbështetës të shoqatës që ai e drejton.

Xhevdet Kallaba


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI