Intervista

Gashi për Albinfo: Shqiptari i Maqedonisë është bërthama e tretë shqiptare, qëndrimi në Zvicër ishte në dy plane

Redaksia e Albinfo-s ka kryer një intervistë me liderin e Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, e cila tani numëron tre deputetë, pas përçarjes në fillim të janarit. Përkundër përçarjes dhe vendimeve gjyqësore, Gashi thekson se me rëndësi është ideja dhe progami politik i partisë – që kësaj here fokus të veçantë do ketë zhvillimi kulturor dhe mbështetje për proceset euro-atlantike të Maqedonisë.

“Albinfo.ch”: Në partinë tuaj, Lëvizja Besa, në fillim të këtij viti ndodhën disa turbulenca, shkarkime, emërime, dy kongrese dhe përçarja vijon. Mund të na sqaroni se kush është tani Lëvizja Besa?

Afrim Gashi: Po, është e vërtetë se ndodhën disa turbulenca, për të cilat sigurisht që nuk jemi të lumtur, por ajo dorë që i shkaktoi ato ishte më e fuqishme se dëshira dhe vullneti jonë që të mos e lejojmë një çarje të tillë. E se çka është sot Lëvizja BESA për këtë mund t’ju them se Besa janë njerëzit që e përfaqësojnë atë, është ideja dhe është programi i saj. Gjithnjë kam qenë i bindur, madje aq më shumë jam bindur ndërkohë duke punuar, se për organizatat politike nuk është e rëndësishme administrata, vendimet e gjykatave dhe vulat, por është e rëndësishme ideja që e mban në këmbë një organizatë dhe janë të rëndësishëm njerëzit që e bartin atë ide. Edhe në të kaluarën, por edhe sot ka plot organizata që nuk dihet a janë diku të regjistruara, bile plot janë ilegale, që bartin ide dhe programe që mbledhin mijëra e miliona njerëz. Prandaj, për neve nuk është aspak i rëndësishëm procesi gjyqësor që ende na mban, pak a shumë, peng me pjesën që doli nga Lëvizja BESA, por jam i bindur se së shpejti edhe kjo përfundon dhe pastaj do të kemi mundësi të veprojmë lirshëm, sepse, përveçse realisht – siç jemi sot dy organizata – së shpejti edhe formalisht do të jemi dy organizata të ndryshme politike.

“Albinfo.ch”:  Nëse ndodhë që ta humbni kontestin gjyqësor, cili është plani juaj më tej? 

Afrim Gashi: E thashë edhe në pyetjen e parë se cili është mendimi im për pjesën juridike… Ne presim që Gjykata e Apelit ta pranojë ankesën tonë, por edhe Gjykata Administrative ta konstatojë falsifikimin e dokumentacionit, si edhe Prokuroria Publike ta procesojë padinë tonë kundër falsifikuesit të dokumenteve të Besës, por ne më së paku jemi të fokusuar në atë pjesë. Detyra jonë mbetet në përmbushjen e detyrimeve programore. E, nëse flasim në mënyrë hipotetike, edhe pse hipotetikisht pyetja më e saktë do të ishte se “çka nëse e fitojmë kontestin gjyqësor?”, sepse ne jemi të bindur se edhe e drejta juridike është në anën tonë, por – sido që të pyetni dhe çfarëdo që të ndodhë – ne jemi të përgatitur për secilin variant.

“Albinfo.ch”:  Çfarë ju dallon juve nga Besa tjetër? A ka ndonjë risi? 

Afrim Gashi: Për neve Besa është vetëm një. Sidoqoftë, ajo që na dallon jo vetëm nga grupe joformale që mund ta bartin emrin e partisë sonë, por edhe nga partitë e tjera, është ideja ose vizioni për shqiptarin e Maqedonisë. Ne mendojmë se shqiptari në Maqedoni nuk është periferi e Tiranës dhe e Prishtinës, por është njëri kënd i trekëndëshit barabrinjës shqiptar, është bërthama e tretë shqiptare në Ballkan. Konform kësaj ne jemi të përkushtuar që ta mbrojmë, fuqizojmë dhe kultivojmë këtë identitet shqiptar, duke krijuar kushte të volitshme zhvillimore, që ta ndalim shpërnguljen e shqiptarëve dhe – mundësisht – edhe kthimin e tyre në vatrat e tyre autoktone, por edhe zhvillimin e arsimit cilësor e shkencave albanologjike, ngritjen e kulturës shqiptare, pastaj jemi të fokusuar në mënyrë të veçantë në integrimin e vendit në BE dhe në NATO, sepse ato për neve janë interesat më të larta strategjike, ndërsa jemi të përkushtuar edhe në vendosjen e shtetit të së drejtës, për çka Maqedonia ka nevojë, në përgjithësi, ndërsa shqiptarët këtu, në veçanti. Me një fjalë, kryefjala e veprimit tonë politik, në mandatin tim, i bie të jetë Zhvillimi. Mendoj se ky është një dallim substancial edhe nga subjektet tjera shqiptare dhe joshqiptare e jo vetëm nga një pjesë e shkëputur e Besës.

 “Albinfo.ch”:  A ka ardhur koha që edhe shqiptarët e Maqedonisë të konkurrojnë me dy koalicione zgjedhore si pala maqedonase, ose do vijojë shpartallimi i votës shqiptare? 

Afrim Gashi: Kjo ka qenë gjithnjë e nevojshme, por gjithnjë dalin disa pengesa, që duken se janë të natyrshme dhe si pasojë e egos së njerëzve, por që realisht – sipas meje – janë produkte të dikujt që nuk e dëshiron këtë grupim të kampit politik shqiptar. Këtë përvojë e kishim edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2017 dhe kam drojë se ende nuk e kemi marrë mësimin e përçarjes së votës. Sa i takon Besës, ne kemi shfaqur vetëmohim dhe kemi qenë të gatshëm, por kjo mbase nuk ka mjaftuar. Sa për ta dëshmuar këtë, po ju them se në vitin 2016 i ofruam LR-PDSH-së së atëhershme të futemi në koalicion me lista të përbashkëta me ndarje të barabartë, edhe pse anketat na nxirrnin se jemi më të fuqishëm, gjë që u dëshmua edhe në zgjedhje pastaj, por – për fat të keq – kjo nuk u arrit. Sidoqoftë, duke qenë optimist, kam shpresë se e ardhmja na sjellë gjëra më të mira dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë.

“Albinfo.ch”:  Të dalim pak në pjesën e zhvillimeve të përgjithshme në Maqedoni. A mendoni se Maqedonia do ta zgjidhë problemin e emrit dhe do të marrë ftesë për në NATO? 

Afrim Gashi: Megjithëse kjo gjë mbahet paksa larg opinionit, me arsyetimin që të mos e dëmtojë procesin, nga informacionet që unë i kam, kam shumë shpresë se – pavarësisht se a do të përfundojnë me epilog të suksesshëm bisedimet për emrin – Maqedonia ka mundësi të marrë ftesë për anëtarësim në NATO. Dhe, kjo për shtetin dhe për shqiptarët është lajm shumë i rëndësishëm, sepse përfundimisht edhe ne futemi nën çadrën e sigurisë dhe stabilitetit perëndimor dhe vetëm ashtu ndalen apetitet ruse për rajonin. Anëtarësimi në NATO do të krijojë edhe stabilitet për zhvillim ekonomik, që nënkupton rritjen e investimeve dhe hapje të vendeve të reja të punës, por edhe funksionimin e shtetit të së drejtës e kështu me radhë. NATO është prioritet i yni edhe si komb shqiptar, por edhe si shtet i Maqedonisë.

“Albinfo.ch.”: Po në relacion me integrimin europian, cili është qëndrimi i Besës? 

Afrim Gashi: Ashtu si për anëtarësimin në NATO, ne jemi të përkushtuar edhe për integrimin europian, edhe pse – dorën në zemër – na duket proces më i vështirë dhe më i gjatë. Ka shumë hapa që ende nuk i kemi bërë dhe kjo duket mjaft larg. Prandaj, mendoj se edhe BE-ja duhet të veprojë pak më shpejt dhe ta përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor në BE, sepse vetëm ashtu do të mundësohet edhe mirëqenia ekonomike, por edhe rritja e vlerave demokratike, si edhe sundimi i shtetit të së drejtës. Lëvizja BESA nuk ka asnjë dilemë se orientimi jonë, edhe si komb, duhet të jetë Perëndimi, ndërsa shumicën e arsyeve tashmë i numërova.

“Albinfo.ch”:  Derisa flasim për integrimin, në shumë raporte dhe deklarime të zyrtarëve perëndimorë përmendet se Maqedonia ka rrezik për ndikim lindor. Çfarë mendoni ju për këtë dhe a është real ky ndikim? 

Afrim Gashi: Po, kjo nuk është më diçka që e shpikim ne. Ndikimet ruse janë mjaft aktive në rajon dhe kjo përbën kërcënim serioz për interesat shqiptare dhe perëndimore në Ballkan. Këtë e dëshmojnë edhe zhvillimet me përzënien e diplomatëve rusë nga shumë vende të Europës. Zhvillimet në Mal të Zi kur ky shtet duhej të futet në NATO, por edhe ato në veriun e Kosovës, ato në Bosnjë, si dhe problemet që dalin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO janë sinjale sa është bërë emergjent ky anëtarësim. Prandaj ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga kjo influencë dhe për këtë mendojmë se anëtarësimi në NATO, në një mënyrë, është shpëtim nga këto synime.

“Albinfo.ch”:  Para disa ditësh ju ishit në Zvicër ku u takuat me këshilltarin e qytetit të Cyrihut Përparim Avdilin dhe më pas me disa aktivistë tuaj. Për çfarë shërbente ajo vizitë? 

Afrim Gashi: Qëndrimi im në Zvicër ishte në dy plane. Në pjesën zyrtare isha pjesë e delegacionit të Maqedonisë në takimin interparlamentar në OKB në Gjenevë, ku kishim mundësi të komunikojmë me deputetë të shumë vendeve të botës dhe të punojmë në shumë komisione të ndryshme parlamentare, ndërsa pjesa e dytë ishte joformale, por jo më pak e rëndësishme, ishin takimet me mërgimtarët tanë në Zvicër. Unë u takova me disa organizata shqiptare atje, me disa veprimtarë dhe aktivistë të shoqërisë civile, me shqiptarë të përfshirë në skenën politike zvicerane, por edhe me aktivistë të Lëvizjes BESA atje. Edhe takimi me z. Abdyli ishte mjaft i frytshëm. Ai është një personalitet që duhet vlerësuar jo vetëm nga shqiptarët në Zvicër, por edhe nga mbarë shoqëria zvicerane, sepse ai ishte integruar aq shumë e aq mirë në çështjet e shtetit helvet, sa kujtoj se ai po jep një kontribut të rëndësishëm për Zvicrën, ndërsa kjo tërthorazi ose drejtpërdrejt e ndihmon edhe imazhin e shqiptarit në Perëndim. I tillë është edhe Dr. Lumni Ademi, që po ashtu vepron në Zvicër dhe të cilin pata mundësi ta takoj. Ne mburremi me ata shqiptarë.