Kosova

Gjermania ndan 60 milionë euro për Kosovën

Është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë, me të cilën konfirmohen zotimet e Qeverisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik dhe Financiar për vitet 2018-2019, në vlerë prej 60.05 milionë euro.

Ministri i Financave i Kosovës, Bedri Hamza, tha se Kosova i është mirënjohëse Gjermanisë për investimet që po bënë duke përkrahur sektorët e energjisë, ambientit, arsimit.

“Sot marrëveshja ka peshën mbi 60 milionë euro financim ku do të përfitojnë sektorët e energjisë, ambientit, arsimit, sektorët privat. Unë jam shumë mirënjohës delegacionit gjerman për këtë ndihmë dhe kontribut”, tha ministri përcjell albinfo.ch.

Udhëheqësi i Delegacionit të Qeverisë Gjermane, Dirk Schattschneider tha se Gjermania do ta mbështesë Kosovën dhe qytetarët e saj për një jetë më të mirë, shkruan EO.

“Gjermani ka ofruar 60 milionë euro për këtë vit dhe vitin e ardhshëm për projektet që kanë të bëjnë me sektorë publik e që prekin jetën e qytetarit. Ne e mbështesim Kosovën për të krijuar kushtet për popullin e saj e sidomos për të rinjtë dhe edukimin e tyre”, shtoi ai.