Lajme

Gjykata zvicerane refuzon shtetësinë për një grua për shkak të një lidhjeje treshe

Martesa formale nuk mjafton, refuzohet shtetësia zvicerane për gruan vietnameze

Një grua nga Vietnami është refuzuar për të marrë shtetësinë zvicerane, pasi autoritetet zbuluan se gjatë martesës me bashkëshortin e saj zviceran kishte mbajtur njëkohësisht një lidhje me një burrë tjetër, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të mediave, gruaja ishte martuar me një shtetas zviceran shumë më të moshuar se ajo. Megjithatë, gjatë gjithë kohës së martesës ajo kishte vazhduar marrëdhënien me një partner tjetër, me të cilin kishte edhe tre fëmijë.

Situata u bë edhe më e pazakontë kur bashkëshorti zviceran u sëmur. Në atë periudhë, partneri i saj tjetër u vendos të jetonte në një apartament ngjitur me atë të çiftit, me hyrje të përbashkët. Sipas dyshimeve të autoriteteve, gruaja jetonte realisht me partnerin e saj, ndërsa martesa me burrin zviceran vazhdonte formalisht.

Pas vdekjes së bashkëshortit zviceran, gruaja paraqiti kërkesë për të marrë shtetësinë përmes procedurës së natyralizimit të thjeshtuar, e cila zakonisht është më e lehtë për bashkëshortët e shtetasve zviceranë. Megjithatë, kërkesa e saj u refuzua pasi Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) kishte marrë informacion për rrethanat e pazakonta të jetesës së saj.

Çështja përfundoi në Gjykatën Federale të Zvicrës, e cila javën e kaluar vendosi se natyralizimi i thjeshtuar kërkon që bashkëshortët të jetojnë nën të njëjtën çati dhe të jenë besnikë ndaj njëri-tjetrit gjatë gjithë martesës.

Sipas gjyqtarëve, një marrëdhënie treshe nuk përmbush kushtet ligjore për marrjen e shtetësisë zvicerane. Për këtë arsye, kërkesa e gruas për natyralizim u refuzua përfundimisht./Albinfo.ch