Lajme

Gjysma e emigrantëve evropianë nuk qëndrojnë më shumë se pesë vjet në Zvicër

Kostoja e lartë dhe integrimi i vështirë po i largojnë emigrantët

Ndërsa Partia Popullore Zvicerane (SVP/UDC) e krahut të djathtë e justifikon iniciativën e saj “Jo për Zvicrën me 10 milionë banorë” me argumentin se të huajt qëndrojnë përgjithmonë në vend, të dhënat tregojnë një realitet tjetër, përcjell albinfo.ch.

Sipas Patrick Chuard-Keller, kryeekonomist i Shoqatës Zvicerane të Punëdhënësve, çdo vit rreth 30 mijë shtetas evropianë largohen nga Zvicra. Statistikat tregojnë se gjysma e emigrantëve nga vendet e BE-së e braktisin Zvicrën pas pesë vitesh qëndrimi, ndërsa pas dhjetë vitesh, rreth 60% e tyre janë kthyer në vendet e origjinës.

Këto shifra bien ndesh me narrativën politike se emigracioni çon në një rritje të përhershme të popullsisë së huaj. Megjithatë, UDC shpreh shqetësim se marrëveshjet e reja Bilaterale III me Bashkimin Evropian mund të sjellin një valë të re emigracioni.

Sipas ekspertëve, kostoja e lartë e jetesës dhe vështirësitë në integrim janë ndër arsyet kryesore që i shtyjnë emigrantët evropianë të largohen relativisht shpejt nga Zvicra, pavarësisht mundësive ekonomike që ofron vendi.