Gospel dhe xhaz për spitalin e fëmijëve në Prishtinë

Mjetet e grumbulluara në këtë koncert dedikohen për spitalin e fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës

Ditë më parë, ata që ishin me fat, patën rastin të përjetonin nga afër, ca perla të muzikës spirituale, në interpretim të jashtëzakonshëm të grupit amerikan “Thompson Jonny Singers”. Muzika gospel e këtij grupi, që në burimin e saj është muzikë kishtare, përmes njëinterpretimi shumë impresiv të këngëtarëve afroamerikanë, u prezantua me dinjitet në Baden, afër Cyrihut, para një publiku, mjerisht në numër fare simbolik.

Është edhe një arsye përse ky koncert nuk bënte të huqej: Grupi Thompson Jonny Singers po ngjitej në këtë skenë me një dedikim humanitar. Mjetet e grumbulluara aty do të shkonin për të ndërtuar spitalin e fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës. Ideja dhe organizimi ishin të shoqatës “Dielli i Kosovës” me kryetare zonjën Natalie Velija, të ndihmuar nga agjencia e koncerteve “Open hearts” nga Badeni. Ndërsa numri i atyre që do të ndihmonin për të çuar në vend përkushtimin e këtij grupi entuziastësh, ishte, siç u tha, fare i vogël.

Publikun e përshëndeti Sidney Weill, udhëheqës i agjencisë “Open Hearts”. Ai, veç tjerash foli rreth agjencisë, e cila, në vitin 1999, kishte organizuar në sheshin “Skënderbej të Tiranës një koncert gjigant ku pati kënduar këngëtari i njohur zviceran dj Bobo bashkë me këngëtarë tjerë. Koncerti u ishte kushtuar refugjatëve të cilët, pasi ishin dëbuar nga Kosova, kishin gjetur strehim në Shqipëri. Weil falënderoi grupin “Thompson…” për gjestin fisnik që kishte bërë duke koncertuar për fëmijët e Kosovës.

Një përshëndetje rasti ia drejtoi publikut edhe konsullja e Kosovës në Cyrih, Dhurata Selimi. Ajo, në emrin e kosovarëve që jetojnë në këtë regjion, i shprehu mirënjohjen e thellë grupit muzikor, organizatorëve dhe mikpritësve për gjithë atë që po bënin për Kosovën dhe ardhmërinë e saj.

Pastaj, skena ishte në zotërim të plotë nga grupi “Thompson…”. Gjashtë këngëtarë e instrumentistë shpalosën për publikun një pasuri të madhe tingujsh e zërash me një interpretim bravuroz.

“Thompson Jonny Singers” është më shumë se një grup që bën muzikë gospel. Ajo që ky grup ofron në skenë është një dhënie-marrje interaktive me publikun, një komunikim spontan mes dy palëve. Këngët, që kanë bazën në repertorin e këngëve kishtare, i përshkon një prekje e lehtë e xhazit dhe bluzit, që i bën më të afërta edhe për publikun e gjerë.

Një grup me histori tashmë 45 vjeçare (është themeluar në vitin 1965) “Thompson…” ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve një itinerar shumë të dendur kryq e tërthor botës. Misionet humanitare të të gjitha llojeve kanë qenë në qendër të agjendës së grupit, i cili gjatë gjithë kohës është në rrugë për të shpërndarë “lajmin e mirë”.

Themeluesi i grupit, John Alexander Thompson, ndonëse i shtyrë në moshë, është ende mjaft vital dhe ka zë të mrekullueshëm. Njëkohësisht këngëtar, kompozitor, autor tekstesh, pianist dhe udhëheqës i grupit, John është, si të thuash, shpirti dhe motori i këtij grupi.

Ende mund të ndihmohet

Të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë në qëllimin fisnik të ndërtimit të spitalit të fëmijëve në Prishtinë, mund ta bëjnë këtë duke telefonuar në këtë numër telefoni: 0900 25 01 79. Një telefonatë kushton 5 franga.